E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirditë, 20-vjeçari vritet me automatik në pritë

Edison Jaku është ekzekutuar nga persona të panjohur vetëm pak metra larg banesës së tij. Mister shkaqet e krimit


RRËSHEN- Një breshëri automatiku në orët e vona të natës së sotme i ka marrë jetën një të riu 20 vjeçar në qytetin e Rrëshenit rreth orës 22.20 jo më larg se 30 metra nga komisariati i policisë Mirditë. Persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë Edison Jakut, 20 vjeç banues në Rrëshen, i cili sapo kthehej nga puna si kamerier në një bar-internet në këtë qytet.


Disa metra larg hyrjes së tij së pallatit ku ai banonte, disa persona i kanë zënë pusi dhe kanë qëlluar me armë automatike mbi të duke e lënë të shtrirë në rrugë, ndërsa 20 vjeçari për disa minuta ka humbur shumë gjak.


Më pas kanë qenë disa të rinj, shokë të tij me të cilët sapo ishte ndarë, që janë afruar ku kanë gjetur shokun e tyre të shtrirë përdhe,e kanë marrë dhe dërguar në urgjencën e spitalit Rrëshen, por gjatë gjithë kohës ka humbur shumë gjak, gjë që nuk ka mundur të mbijetojë.


Policia deri në orët e vona ende nuk kishte shtruar një pistë të mundshme për të vënë gishtin mbi autorin apo grup autorësh, ndërsa qytetarë të shumtë kanë dalë në rrugë deri vonë të indinjuar nga mungesa e rendit në këtë qytet prej disa kohësh.
Shokë të 20 vjeçarit kanë rrëfyer se kanë qenë së bashku në qendrën e internetit ndërsa janë ndarë, por nuk e kanë besuar se shoku i tij ishte qëlluar dhe më pas të gjente vdekjen në mjediset e spitalit.


Policia po heton rreth dyshimeve të mundshme, por deri më tash nuk ka ndonjë të shoqëruar. Në vendngjarje pos uniformave blu të këtij komisariati kanë ardhur dhe forca policore nga drejtoria e policisë së Lezhës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›