Braçe: Përplasja Bode-Basha, shkak i interesave të "Familjes"
REAGIMI
Pas ngjarjes së ndodhur në Fier në rafinerinë e përpunimit të naftës, ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe.
Në një deklaratë për shtyp ai u shpreh se përplasja mes strukturave në varësi të Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Brendshme dha provën më të dukshme të kapjes së shtetit nga interesat e paligjshme, korruptive, por përfituese të "Familjes" në pushtet.
"Përplasja e dy agjencive ligjzbatuese në dyert e një biznesi privat tregon nivelin më të lartë të kapjes së shtetit shqiptar nga interesat e "Familjes", u shpreh Braçe, duke e quajtur ngjarjen si një skandal shtetëror, produkt i përplasjes së egër të klaneve brenda "Familjes" për dominim, administrim, përfitim nga çdo e mirë publike në çdo segment të tregut.
Ai kërkoi që ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, të sqaronte interesat që përfaqësonte kur urdhëronte policinë e shtetit të pengonte zyrtarët e një tjetër agjencie ligjzbatuese të bënin detyrën.
Braçe gjithashtu nuk anashkaloi ministrin e Financave të cilin e akuzoi se ka lejuar për një vit të tërë një biznes privat të shkelë ligjin e të refuzojë në mënyrë të përsëritur rikthimin në ligjshmëri të aktivitetit të tij.
Deputeti socialist u shpreh se njerëzit duhet të dinë interesat e kujt përfaqëson ministri i Financave "kur për një vit të tërë lejon që në arkën e shtetit të mungojnë miliona dollarë të ardhura të cilat kthehen, për shkak të këtij veprimi, në përfitime të paligjshme gjithnjë e më të mëdha dhe para të munguara për qytetarët shqiptare".
Braçe tha se qeveria ka për detyrë të dorëzojë para organeve të hetimit të gjithë autorët e veprimeve të paligjshme konsumuar nga zyrtarët e dy agjencive ligjzbatuese në shkelje të rëndë të statusit të tyre e në shërbim të plotë të interesave të paligjshme të "Familjes" në pushtet.
"Jemi të vendosur sot e në vijim, të zbardhim çdo detaj të skandalit të djeshëm, të marrëdhënies së korruptuar të ndërtuar prej një viti mes shtetit të korruptuar dhe një biznesi klient, të interesave të gjera, të paligjshme të "Familjes" në pushtet në tregun e hidrokarbureve, të përfitimeve marramendëse të marra prej tyre, të dëmeve të shkaktuara e dëmeve potenciale ndaj punëtorëve që padrejtësisht e në mënyrë kriminale shfrytëzohen në emër të këtyre interesave", përfundoi deputeti socialist.