Pranga shik-asit, premtonte vende pune në këmbim të parave
ELBASAN/ Fatmir Gjinollari është arrestuar pas denoncimit të bërë nga një shtetas se e kishte mashtruar
ELBASAN - Ka premtuar vende pune dhe arsimim në këmbim të parave, nën petkun e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror, por ka përfunduar në pranga.
Kallëzimet e disa qytetarëve kanë çuar në arrestimin e 31-vjeçarit Fatmir Gjinollari, me banim në lagjen "Qemal Stafa" të Elbasanit. Mësohet se ai kishte zgjedhur profesionin e "spiunit" jo si punë, por si një mënyrë për të fituar para.
Një palë pranga dhe dy karta krediti iu sekuestruan 31-vjeçarit në cilësinë e provës materiale, teksa janë marrë dëshmi nga persona të mashtruar prej tij. Ndaj Gjinollarit është ngritur akuza e "përfitimit me anë të mashtrimit".
Ngjarja
Fatmir Gjinollari me banim në lagjen Qemal Stafa hiqej si punonjës i SHIK-ut përballë banorëve të disa lagjeve dhe nga takimet që kishte me shtresa të varfra, u premtonte se do t'i punësonte dhe do t'i fuste në universitet.
Por ata duhet të parapaguanin. Sipas policisë, ndaj 31-vjeçarit kishin ardhur disa kallëzime për mashtrime nën petkun e një punonjësi sigurimi kur nuk ishte aspak i tillë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se seksioni kundër krimit ekonomik e financiar ka ndaluar Fatmir Gjinollarin pasi akuzohet për përfitim me anë të mashtrimit.
Ndaj tij Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Elbasan kishte lëshuar një urdhër ndalimi pasi ky shtetas dyshohet se me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si punonjës i SHIK-ut, iu premtonte shtetasve sistemimin në punë në arsim e në institucione të tjera kundrejt një shpërblimi të majmë.
Gjatë kontrollit në banesën e të ndaluarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një palë pranga, një kartë krediti të "Alfa Bank", si dhe një kartë krediti e bankës "Kredins". Agjentët shprehen se janë duke grumbulluar prova të tjera për aktivitetin e 31-vjeçarit, i cili nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Pas kontrollit të llogarive do të konfirmohet edhe shuma e parave që ai mund të ketë përfituar nga ky lloj "punësimi", pasi prej kohësh ishte i papunë dhe me probleme ekonomike.
Hetimi
Një nga dëshmitarët në polici ka treguar se si e kishte takuar 31-vjeçarin, i cili mbante edhe një palë pranga pas xhepit për të treguar se ishte agjent civil. Pasi kishin biseduar dhe qytetari i kishte treguar hallin që kishte, 31-vjeçari i kishte thënë se ishte person me rëndësi dhe se punonte në SHIK.
Kishte shoqëri e miqësi me të gjithë dhe i dëgjohej fjala, por që qytetari të punësohej, duhet të paguante një këst të vogël që shkonte në varësi të njeriut.
Qytetari që ka dëshmuar, tregon se i ka dhënë 10 mijë lekë si fillim për të gjetur punë, por më pas nuk e ka gjetur më agjentin e SHISH-it dhe prandaj i është drejtuar policisë.
Mësohet se agjentët kanë studiuar edhe lëvizjet e të riut. Pasi kanë marrë vendimin e prokurorisë për ndalimin e tij, efektivat kanë rrethuar shtëpinë e tij në lagjen "Qemal Stafa" dhe kanë bërë kontroll në shtëpi, ku kanë gjetur prangat, si dhe dy kartat e kreditit.
Nuk është gjetur ndonjë dokument që e përfshin direkt për përdorim identiteti të rremë pasi ai kishte arritur t'i bindte qytetarët pa iu dashur që t'u tregonte një dokument.