E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi, LSI merr tre deputetë borxh nga PD

Paulin Sterkaj, Rajmond Hoxha dhe Ismail Hoxha kanë kaluar në grupin e LSI-së. Lefter Koka, kryetar


Mazhoranca ka marrë në mënyrë të padrejtë drejtimin e 5 komisioneve më të rëndësishme, duke i lënë PS-së vetëm 3


Mungesa e opozitës në Kuvend nuk e ka penguar aspak mazhorancën që të vijojë jetën e saj parlamentare.


Pas rikonfirmimit të Jozefina Topallit si kryetare, Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur edhe strukturat e tjera drejtuese, grupet dhe komisionet e përhershme parlamentare me përbërje vetëm të përfaqësuesve të djathtë, duke u bërë gati për veprimtarinë e plotë legjislative në të gjithë piramidën e vet.


Dje, ky institucion publikoi vetëm pak orë në faqen e vet zyrtare në internet, listën e deputetëve sipas përkatësisë, grupeve dhe komisioneve parlamentare.


Sipas saj, mazhoranca e djathtë ka ngritur dy grupet parlamentare, atë Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, si dhe ka formatuar 8 komisionet e përhershme parlamentare, ku 5 prej të cilëve do t'i drejtojnë vetë demokratët dhe tre të tjerët opozita.


Grupet


Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, ndryshe nga të gjitha legjislaturat paraardhëse, do të mbahet mend për numrin shumë të vogël të grupeve parlamentare. Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajnë socialistët, por deri më tani legjislativi i ri parashikohet të ketë vetëm 3 grupe parlamentare.


E ndërsa PS-ja nuk ka vendosur ende për qëndrimin e saj kundrejt këtij institucioni, mazhoranca qeverisëse ka përcaktuar dy grupet e saja parlamentare. Kështu, ajo do të përfaqësohet në Kuvend me grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Grupi demokrat do të ketë 67 deputetë (përfshi këtu edhe pjesën e ministrave që kanë mandat deputeti) dhe do të kryesohet sërish nga Astrit Patozi. Pjesë e këtij grupimi deputetësh është bërë edhe Fatmir Mediu, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Mjedisit në qeverinë e re "Berisha 2". Ndërkohë që një strukturë të tillë organizative kuvendore do ta ketë sërish edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.


Por për shkak të numrit të pakët të deputetëve në këtë legjislaturë, vetëm 4, LSI-ja ka vendosur që të marrë borxh edhe tre deputetë nga Partia Demokratike. Bëhet fjalë për deputetin Paulin Sterkaj, i cili do të mbajë dhe pozicionin e sekretarit të grupit dhe dy deputetëve të tjerë demokratë, Islamil Hoxha dhe Rajmond Hoxha.


Në grupin e LSI-së bëjnë pjesë edhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, nënkryetari i Kuvendit Nasip Naço dhe do të drejtohet nga deputeti i Durrësit Lefter Koka.


Në faqen e Kuvendit, në tabelën e grupeve parlamentare ishte lënë një vend edhe për grupin parlamentar të saj. Megjithatë, nuk dihet nëse PS-ja do të formojë një grup parlamentar apo do të bashkëpunojë me PBDNJ-në për të formuar dy struktura të ngjashme, për të rritur edhe përfaqësimin në institucionet e tjera parlamentare, siç është edhe Konferenca e Kryetarëve.


Komisionet


Kuvendi i Shqipërisë është bërë gati për të nisur edhe jetën parlamentare në komisionet e përhershme. Dy grupet e konstituuara parlamentare kanë vendosur që të bëjnë dhe shpërndarjen e deputetëve në çdo komision të përhershëm, si dhe të përcaktojnë raportet e përfaqësimit mazhorancë/opozitë në to.


Në këtë mënyrë, megjithëse rezultati zgjedhor është tepër i ekuilibruar mes dy blloqeve të mëdha politike, mazhoranca, duke mos hasur në asnjë oponencë për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në Parlament, ka marrë drejtimin për pesë komisionet më të rëndësishme parlamentare, duke i lënë kundërshtarit vetëm tre të tjerët, që kanë dhe më pak rëndësi.


Kështu, mazhoranca ka vendosur të drejtojë vetë Komisionin e Ligjeve me Ilir Rusmalin, komisionin e Ekonomisë, me kryetar Edmond Spahon, komisionin e Politikës së Jashtme, me kryetar Fatos Bejën, komisionin e Sigurisë Kombëtare, me kryetar Leonard Demin dhe komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, me kryetar Jemin Gjanën.


Ndërsa opozitës i është lënë drejtimi i Komisionit të Shëndetësisë dhe Punës, komisioni i Medias dhe komisioni Integrimit. Një ndarje kjo që pritet të shkaktojë debate, pasi balancimin e drejtimit të jetës kuvendore, PS-ja e ka përfshirë dhe në një nga pikat e paketës së saj të kushteve.


Por përveçse ka marrë drejtimin e pesë komisioneve më të rëndësishme, të djathtët kanë vendosur që të kenë mazhorancën në të tetë komisionet e përhershme.


Grupi i LSI-së

Lefter Koka, kryetar
Nasip Naço, nënkryetar
Paulin Sterkaj, sekretar
Dritan Prifti
Ilir Meta
Rajmond Hoxha
Ismail Hoxha


Komisioni i Ligjeve, Ilir Rusmali (PD)
Komisioni i Ekonomisë, Edmond Spaho (PD)
Komisioni i Politikës së Jashtme, Fatos Beja (PD)
Komisioni i Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi (PD)
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana (PD)
Komisioni i Shëndetësisë (PS)
Komisioni i Medias (PS)
Komisioni i Integrimit (PS)

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›