Grupi Parlamentar i PS-së “kryqëzon” me interpelanca qeverinë “Berisha”
Në dy muajt e ardhshëm, Grupi Parlamentar i PS-së fluks kërkesash
Shaban Sulçe
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka planifikuar të zhvillojë brenda dy muajve të ardhshëm 15 interpelanca me përfaqësuesit e qeverisë aktuale për disa nga çështjet kryesore, që përbëjnë interes dhe shqetësim për opinionin publik.
Ky numër është edhe më i madh po të kihet parasysh fakti që deputetët e Partisë Socialiste kanë depozituar edhe tri kërkesa të tjera për të thirrur në interpelancë anëtarët e Këshillit të Ministrave. Plani i Grupit Parlamentar të PS-së për interpelancat është hartuar gjatë mbledhjes më të fundit të Kryesisë së PS-së, të zhvilluar javën e kaluar në Mamurras. Në këtë mbledhje, përveç diskutimeve të tjera, janë vendosur edhe objektivat që duhet të realizojë grupi parlamentar gjatë dy muajve të ardhshëm. Ndër to është forcimi i kohezionit dhe aktivizimit të grupit parlamentar për rritjen e eficiencës së tij nëpërmjet realizimit të interpelancave. Këto interpelanca do të kërkohen të zhvillohen të grupuara, duke këmbëngulur që të respektohen afatet ligjore dhe procedurat e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë për muajin mars dhe prill. Njëherazi përveç këtyre problemeve të parashikuara, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka planifikuar mundësinë e kërkimit dhe zhvillimit të interpelancave të tjera urgjente sipas problemeve që do të dalin.
Berisha dhe Oketa
Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri Gazmend Oketa përbëjnë shënjestrat kryesore të interpelancave të deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Në drejtim të kryeministrit Berisha janë planifikuar katër kërkesa për interpelanca për disa çështje me rëndësi të gjerë. Berisha do të japë llogari përpara deputetëve socialistë për procedurat e prokurimit dhe prodhimit të kartave të identitetit. Ai do të flasë gjithashtu edhe për mungesën e financimit të projekteve nga ana e qeverisë të zonave elektorale, që përfaqësohen nga deputetët socialistë në Kuvendin e Shqipërisë. Berisha do të vihet në qendër të debatit dhe akuzave të deputetëve socialistë për rritjen e numrit të vetëvrasjeve si rezultat i varfërisë ekstreme, si dhe për deformimin e parimeve të ekonomisë së tregut. Ndërkohë në drejtim të zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa janë planifikuar tri kërkesa për interpelancë. Nga këto të fundit nuk kanë shpëtuar as ministri i Ekonomisë Genc Ruli, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ministri i Arsimit Genc Pollo, ministri i Punës Kosta Barka dhe ministri i Bujqësisë Jemin Gjana.
Deputetët
Deputetët më aktivë në realizimin e kërkesave për interpelanca do të jetë njeriu më mediatik i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe. Ky i fundit do të thërrasë në interpelancë kryeministrin Berisha për rritjen e numrit të vetëvrasjeve si rezultat i varfërisë ekstreme, si dhe zëvendëskryeministrin Oketa për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për strehimin e familjeve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Një tjetër deputet mjaft aktiv gjatë interpelancave do të jetë Arben Malaj, i fokusuar në çështjet ekonomike. Lista e deputetëve të PS-së që do të kërkojnë interpelanca vijon me emrat e Blendi Klosit, Alfred Dalipit, Andis Harasanit, Shpëtim Idrizit, Ermelinda Meksit etj.
Lista e interpelancave
Interpelanca me kryeministrin
1-Për procedurat e prokurimit publik dhe prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
Deputeti kërkues: Blendi Klosi
2-Për mungesën e financimit për projektet në vijim që prej vitit 2005 në zonat elektorale të deputetëve socialistë
Deputeti kërkues: Alfred Dalipi
3-Për rritjen tragjike të vetëvrasjeve si shprehje ekstreme e mospërballimit të problemeve të rënda sociale si rrjedhojë e varfërisë ekstreme
Deputeti kërkues: Erion Braçe
4-Për deformimin e parimeve të ekonomisë së tregut përmes instalimit të sistemit të çmimeve referuese në të gjitha transaksionet tregtare, së fundi dhe në ato pronësore, veçanërisht në fshat.
Deputeti kërkues: Andis Harasani
Interpelanca me zëvendëskryeministrin
1-Për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për pensionet suplementare të ushtarakëve në rezervë”
Deputeti kërkues: Arben Malaj
2-Për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për strehimin e familjeve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve”
Deputeti kërkues: Erion Braçe
3-Për zvarritjen e procedurave të privatizimit të një sërë ndërmarrjesh strategjike të shpallura nga qeveria, si KESH, ARMO, INSIG etj
Deputeti kërkues: Arben Malaj
Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës
1-Për çmimin e ri të energjisë elektrike si dhe planet e qeverisë për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike
Deputeti kërkues: Ermelinda Meksi
2-Për rritjen e çmimit të naftës dhe mungesën e politikave qeveritare, kryesisht fiskale, për frenimin e kësaj rritjeje në tregun vendas si dhe planet e qeverisë për vitin në vijim lidhur me akcizat e naftës
Deputeti kërkues: Shpëtim Idrizi
Interpelanca me ministrin e Drejtësisë
1-Për bllokimin e procedurave të regjistrimit të tokave bujqësore, veçanërisht në zonat bregdetare të përfituara përmes ligjeve në fuqi, si dhe dhënia e kompetencës Këshillit të Qarkut për heqjen e titullit të pronësisë
Me ministrin e Arsimit
Për dështimin e politikës qeverisëse të subvencionimit të çmimeve të librave në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, për të dytin vit rresht.
Deputeti kërkues: Marko Bello dhe Alfred Dalipi
Me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale
Për nivelin e lartë të pandryshueshëm të papunësisë në vend.
Deputeti kërkues: Musa Ulqini
Për mosrespektimin e ligjeve në fuqi lidhur me masën e pagesës së ndihmës ekonomike dhe pagesën e papunësisë
Me ministrin e Bujqësisë
Për përgatitjen dhe nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, për rimbursimin e TVSH-së në shitje për produktet bujqësore.
Interpelancë me ministrin e Brendshëm për decentralizimin e administrimit të ujësjellësve e furnizimit me ujë të pishëm. Deputeti kërkues: Bashkim Fino
Interpelanca të depozituara në Kuvend
Interpelancë urgjente me kryeministrin për problemin e rritjes së çmimeve, kërkuar nga Grupi Parlamentar
Interpelancë me zëvendëskryeministrin për mbrojtjen e konsumatorëve, kërkuar nga Flamur Hoxha dhe Rrapush Tola
Interpelancë me zëvendëskryeministrin për nivelin e lartë dhe të pandryshueshëm të papunësisë në vend.
Deputeti kërkues: Musa Ulqini
5 Mars 2008