E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova aplikon për anëtarësim në FMN dhe në Bankën Botërore

Kosova mund të anëtarësohet dhe të përfitojë nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Aplikimet e para të Kosovës janë ato për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Qeveria e Kosovës ka filluar punën në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Faza e parë thuhet të jetë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në mekanizmat financiare ndërkombëtarë, sepse në mekanizmat e tjerë, si në OKB dhe OSBE, kjo nuk është e mundur për momentin. Arsyeja është se në këto mekanizma ka shtete me të drejtë vetoje që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Edhe mekanizmat financiarë ndërkombëtarë dallojnë nga njëra-tjetra dhe disa edhe mund t'i kushtëzojnë Kosovës mbështetjen financiare me të qenit anëtare e OKB-së. Kështu thotë ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, sipas të cilit Kosova për një kohë të gjatë nuk mund të jetë anëtare e OKB-së. Sidoqoftë, krahas punës për aplikimin e Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, në Prishtinë po vazhdon vendosja e marrëdhënjeve diplomatike me shumë shtete që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Hapja e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, do të bëhet pas periudhës së tranzicionit, kur përfundimisht të largohet nga Kosova administrata e Kombeve të Bashkuara e misioni i ri i BE-së.

Mitrovicë, qëllohet me armë zjarri zyra e UNMIK-ut

Zyra e UNMIK-ut në Mitrovicë është qëlluar gjatë ditës së djeshme me armë zjarri të llojit snajper. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve “B92” dhe mësohet se nuk ka të lënduar. Zyra për të rinj dhe biznes, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, gjendet 50 metra në lindje të urës Ibër. “Në momentin e sulmit, në zyrë gjendeshin tre persona të përkatësisë serbe, por askush nuk është lënduar”, - ka deklaruar menaxherja e zyrës, Olivera Millosheviç. Sipas saj, askush nuk ka dëgjuar të shtënat, vetëm janë parë disa gjëra të vogla të cilat kanë kapërcyer nëpër dritare dhe kanë përfunduar më pas në muret e zyrës. Zëdhënësi rajonal i Shërbimeve Policore të Kosovës, Besim Hoti, deklaroi se sulmin e kanë kryer persona të panjohur.

Kroacia do ta njohë Kosovën më 15 mars

Kroacia ka bërë të ditur se do ta njohë zyrtarisht Kosovën më 15 mars. Zëvendëskryeministrja e Kroacisë, Gjurgja Adleshiç, ka deklaruar se Zagrebi do të ndjekë rrugën e shteteve të tjera europiane përsa i përket Kosovës. Sipas saj, i vetmi detaj i rëndësishëm është vetëm zgjedhja e kohës. ”Është e sigurt që Kroacia do ta njohë Kosovën, por duhet zgjedhur me kujdes koha”, -është shprehur Adleshiç në një konferencë shtypi. Ndërkohë shteti i ri është njohur nga shumë vende të botës dhe Prishtina pritet të krijojë marrëdhënie diplomatike me vende të rëndësishme.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›