Grupi i "Ben Çamit", 51 vitye burg për heroinë
VENDIMI
Lutfi Shabani, i cilësuar si organizatori i i trafikut, u dënua me 12 vite burg, bashkëpunëtori i tij 9 vite dhe të tjerët nga 7.6 vite
TIRANË- Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, deklaroi fajtorë dje gjashtë të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të "grupit të Ben Çamit", të akuzuar për "trafiku të lëndëve narkotike" dhe "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" në bashkëpunim, duke trafikuar në intinerarin Maqedoni- Shqipëri- Itali 54 kg heroinë.
Sipas vendimit të togave të zeza i pandehuri Lutfi Shabani i njohur ndryshe si "Ben Çami" është cilësuar si organizator i këtij rrjeti të trafikut të drogës, me porositur në Maqedoni 54 kg heroinë, nga të cilat 34 kg, janë dërguar dhe sekuestruar në Itali ndërsa brenda territorit shqiptar janë sekuestruar 20 kg heroinë.
Për trafikimin e kësaj sasie droge, gjykata e deklaroi fajtor Shabanin duke e dënuar përfundimisht me 12 vite burg. Shqiptaro-maqedonasi Isen Nasufi, në vendimin e gjykatës, është cilësuar si bashkëpunëtori kryesor i "Ben Çamit" dhe personi që organizonte transportin e drogës nga Maqedonia në Shqipëri.
Për këto veprime gjykata vendosi dënimin e tij me 9 vite burg. Ndërsa, për katër të pandehurit e tjerë: Dritan Gjura, Madrit Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti gjykata vendosi t'i deklarojë fajtorë për kryerjen e veprës penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" në bashkëpunim, duke i dënuar me nga 7 vite e 6 muaj burg secilin.
Po kjo masë dënimi u kërkua edhe nga prokurori i çështjes Edvin Kondili, që lexoi konkluzionet përfundimtare në fund të muajt korrik të këtij viti, duke kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurve.
Sipas vendimit, 6 të pandehurit, të drejtuar nga Lutfi Shabani, i njohur gjithashtu edhe me emrin Arben Shalaj, kanë sjellë së bashku në kohë të ndryshme, nga Maqedonia në Shqipëri rreth 54 kg heroinë.
Kjo sasi droge, mësohet se është sekuestruar nga autoritetet e policisë shqiptare në dy raste, në muajin korrik dhe shtator të vitit 2008. Në këto dy raste, janë arrestuar të pandehurit Lutfi Shabani, Isein Nasufi, Dritan Gjura, Madrit Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti. Ata po transportonin nga Maqedonia në Shqipëri rreth 20 kg heroinë.
Në dy raste të tjera, goditja është kryer nga autoritetet italiane, pasi në muajin maj të vitit 2004, janë sekuestruar 34 kg heroinë që po transportoheshin nga 5 korrierët, Nevruz Shabani, Elton Nikocaj, Feti Ramadani, Bashkim Hiseni dhe Ilirjan Çipo, të cilët janë arrestuar dhe gjykuar në Milano të Italisë. Sipas kërkesës për gjykim, një pjesë e dosjes me dy episodet e sekuestrimit të 34 kg heroinë ka ardhur nga shteti fqinj, ku është provuar se pronar i kësaj sasie droge ishte Ben Çami.
Flamur Vezaj
DËNIMET
Lutfi Shabani, u dënua me 12 vjet burg
Isein Nasufi, u dënua me 9 vite burg
Dritan Gjura, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg
Madrit Istrefi, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg
Françesk Shkambi, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg
Arif Kurti, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg