Basha: Pajisja me pasaporta biometrike ndihmon në liberalizimin e vizave
Procesi i lëshimit të pasaportave biometrike është duke ecur me ritme të shpejta dhe pajisja e qytetarëve shqiptarë me to brenda një kohe të shkurtër ndihmon në liberalizimin e vizave me BE-në. Deklarimi u bë dje nga numri një i institucionit të Ministrisë së Brendshme, ministri Lulzim Basha, gjatë takimit me shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë në Komisionin Evropian, Luigi Soreca, të shoqëruar nga kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan. Sipas tij, procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike po përparon me shpejtësi. “Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike ka filluar në muajin maj të këtij viti, deri më tani numërohen rreth 200 mijë aplikime dhe mbi 190 mijë pasaporta të prodhuara, çka përbën një ritëm shumë më të mirë të këtij procesi se vendet e tjera të rajonit që e kanë filluar më herët dhe janë tashmë më pranë përfitimit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian”, - u shpreh ai. Ministri Basha u ndal tek planet e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e integruar të kufirit. Gjatë takimit me Soreca-n dhe Lohan, ministri informoi për hapat e ndjekur për instalimin e plotë të sistemit të informacionit për kontrollin kufitar TIMS, për analizën e informacionit kriminal MEMEX, si dhe për kontrollin e kufirit detar. Ministri Basha nënvizoi se të gjitha këto sisteme do të integrohen mes tyre, duke mundësuar pajisjen e Shqipërisë me një nga sistemet më të përparuara të kontrollit të kufirit dhe analizës së informacionit kriminal në Evropën Juglindore. Ndërkohë që numri një i Ministrisë së Brendshme shprehu falënderimet për nxitjen, mbështetjen dhe asistencën e strukturave të Bashkimit Evropian për përmbushjen e kritereve teknike në drejtim të liberalizimit të vizave dhe deklaroi se Shqipëria mirëpret verifikimin e përparimeve të arritura nga inspektimi i afërt i Komisionit Evropian. Nga ana e tij, shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë në Komisionin Evropian, z. Luigi Soreca, vlerësoi përparimin e bërë në kriteret më të rëndësishme për liberalizimin e vizave. Ai u shpreh se “Shqipëria është në rrugën e duhur dhe do të ketë në vijimësi mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për konkretizimin e të gjithë hapave të nevojshëm deri në arritjen e një propozimi konkret për liberalizimin e vizave”. Për ministrin Basha, sigurimi i plotë i kufijve të vendit nga krimi ndërkufituar dhe pajisja e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrike do të çojë Shqipërinë në liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.