E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq si i pandehur ish-shefi i krimeve të Rinasit

Gjonpali akuzohet për ushtrim dhune ndaj pronarit të një agjencie, ndërsa ai vetë ka mohuar këtë fakt

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të ish-Shefit të Krimeve në Komisariatin e aeroportit "Nënë Tereza" në Rinas, të pandehurin Astrit Gjonpali, me gradën komisar.


Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku konfirmohet se kancelaria e kësaj të fundit me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar gjyqtarin Gerd Hoxha, si drejtues të trupit gjyqkues që do të shqyrtojë çështjen në ngarkim të të pandehurit Gjonpali. Sipas dosjes me nr.1875 e regjistruar pranë togave të zeza më 23 shtator 2009, i pandehuri Astrit Gjonpali ka kryer veprën penale të "Plagosjes së lehtë me dashje", ndaj një shtetasi të huaj.


Mësohet se ish-Shefi i Krimeve në Rinas komisar Gjonpalit ka ushtruar dhunë fizike naj një shtetasi rumunë, duke i shkaktuar atij dëmtime të lehta fizike. Ka qenë kallëzimi i këtij shtetasi të huaj që ka vënë në lëvizje fillimisht Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të cilët e pezulluan nga detyra dhe më pas prokuroria e kryeqytetit e cila i komunikoj akuzën e "plagosjes së lehtë me dashje".


Mësohet se shtetasi denoncuesi ishte pronar i një agjencie udhëtimesh që fillimisht e ka akuzuar për dhunë komisarin Gjonpali pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Këta të fundit pas kryerjes së verifikimit për këtë ankesë ia kanë deleguar hetimin e dosjes penale prokurorisë së Tiranës.


"Kjo ngjarje nuk është ashtu siç pretendohet dhe ka disa ekzagjerime dhe mund të them që nuk ka të bëjë me detyrën që kam pasur si shef i krimeve ne Komisariatin e Rinasit",-ka nënvizuar për "Shekullin" komisar Gjonpali në kohën e pezullimit nga detyra. Mësohet gjithashtu se ndaj Astrit Gjonpali ka pasur kohë më parë edhe një kallëzim tjetër penal, që më pas nuk u provua.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›