E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osmani: Dënime maksimale ndaj shkelësve të Kodit Rrugor



Të ecësh në rrugët e Tiranës është një problem më vete. Shumë makina, trafik i rënduar dhe shpeshherë vështirësi për këmbësorët, për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, si pasojë e mungesës dhe mosfunksionimit të semaforëve. Për Policinë Rrugore, rregullimi i trafikut është një nga sfidat që duhet të përballet çdo ditë. Në një qytet ku për pak kohë, numri i makinave është trefishuar dhe infrastruktura rrugore ka ngelur e njëjta, puna është bërë më e vështirë. Për më tepër, që situata rëndohet kur në rrugët e ngushta të Tiranës parkohen makina të ndryshme, të cilat e rëndojnë edhe më tepër trafikun. Por, si të mos mjaftojë mungesa e infrastrukturës apo dhe probleme të tjera për shkak të faktit se flasim për metropolin shqiptar, ka mjaft qytetarë që shkelin me vetëdije rregullat e qarkullimit, të cilët e rëndojnë edhe më situatën. Nisur nga kjo situatë problematike, Polica Rrugore prej gati 20 ditësh ka nisur një fushatë, me qëllim sensibilizimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor dhe disiplinimin dhe shmangien e aksidenteve rrugore. Shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Artan Osmani, në një intervistë për “standard”, flet për situatën në qytet dhe masat e marra nga policia.

Prej më shumë se 20 ditësh, Policia Rrugore në bashkëpunim me policinë e Tiranës ka nisur një fushatë për disiplinimin dhe penalizimin e të gjithë shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Çfarë është kjo fushatë? Cili është qëllimi i saj?

Do të theksoja se ne kemi nisur zbatimin e një plani masash të veçantë, të hartuar për menaxhimin e trafikut rrugor, meqenëse përkon me fillimin e vitit të ri shkollor dhe me shtimin e mjeteve, të cilat qarkullojnë në rrugët e Tiranës. Mund të them pa hezitim që numri i mjeteve në rrugët e qytetit është trefishuar, duke e bërë të vështirë qarkullimin normal në krahasim me vitet e mëparshme. Duke pasur parasysh edhe infrastrukturën rrugore të qytetit, kemi ndërmarrë këtë plan masash që do të vazhdojë gjatë gjithë punës tonë. Që nga parkimet e gabuara, të cilat do të ndëshkohen maksimalisht, ashtu si shkelësit me gjobat maksimale. Nga studimet që kemi bërë dhe nga ato që shohim përditë, ky parkim i gabuar i kryer nga drejtuesi i mjetit, krijon trafik në rrugët e Tiranës, krijon probleme për të gjithë qytetarët që lëvizin me mjetet e tyre. Gjithashtu, duam të theksojmë që ë gjitha gjobat që do të vendosen do të vilen në një kohë rekord. Jemi pajisur dhe me mjetet speciale duke filluar nga lap top-ët, nga radarët, që na ndihmojnë në kryerjen e kësaj pune.

Ka një numër të përgjithshëm të numrit të të gjobiturve që nga fillimi i kësaj fushate?

Do të thosha që mesatarisht që nga fillimi i punës sonë, numri i të gjobiturve është rreth 900 deri në 1000 persona në ditë. Këto gjoba janë vendosur ndaj të gjithë atyre shkelësve në parkimet e gabuara, ecjet me shpejtësi, kundërvajtjet, mosrespektimit të semaforit e të tabelave sinjalizuese. Nga shërbimet tona janë marrë masa të ashpra në këtë drejtim. Kemi pasur mbështetje edhe nga Patrullat e Përgjithshme të komisariateve, që kanë qenë të gjithë të angazhuar për të evidentuar këto shkelje dhe për të krijuar një rrjedhshmëri trafiku në qytetin e Tiranës.

Sipas mendimit tuaj, rreth 1000 të gjobitur në ditë, a është një numër i vogël apo i madh të penalizuarish për një qytet si Tirana?

Duke parë numrin e mjeteve që janë në qytetin e Tiranës, duke parë infrastrukturën tonë rrugore unë mendoj që s’mund të themi që është një shifër shumë e lartë, por, edhe e pakët nuk është.

Mendoni se duhet të ketë dënime më të ashpra për të gjithë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor?

Dënimet janë parashikuar në Kodin Rrugor. Kur bëhet fjalë për përdorimin e pijeve alkoolike apo shkeljen e semaforit janë masa shumë të ashpra, të cilat shkojnë përveç gjobës deri në pezullim të lejeve të drejtimit. Por, në Kodin Rrugor masat për mosvendosjen e kaskës duhet të jenë më të ashpra. Në qoftë se deri tani masat maksimumi janë deri në 10 mijë lekë të vjetra, duhet të rriten. Edhe ndaj mosvendosjes së rripit të sigurimit duhet të ketë një masë më të ashpër. Jo më larg se para dy ditësh kemi ndërmarrë një aksion për lëvizjen e çiklomotorëve, ku mund të them se brenda një dite u bllokuan 35 çiklomotorë.

Në Tiranë është shtuar numri i çiklomotorëve, të cilët janë mbi 1000 cc dhe që lëvizin në rrugët e kryeqytetit. Shpesh herë njerëzit bëhen dëshmitarë të “spektaklit” të ofruar nga drejtuesit e tyre, të cilët shndërrohen edhe në rrezik për këmbësorët. Çfarë mund të na thoni për këtë fenomen?

Dua t’ju them me përgjegjësi të plotë që këta lloj motorësh që krijojnë problem edhe për lëvizjen e këmbësorëve dhe paraqesin problem për rrezikshmërinë e tyre, janë edhe burim aksidenti, nga ana jonë janë marrë masa për të bllokuar shumë mjete. Këtu në komisariat mund të kemi të bllokuara 25 çiklomotorë të përmasave të mëdha, që janë bllokuar për mungesë dokumentacioni. Ndërsa ata që janë ndaluar për shkak të shpejtësisë, janë çuar në komisione për t’iu hequr leja e drejtimit të mjetit. Por, puna jonë do të vazhdojë në këtë drejtim dhe do të kërkojmë me forcë që të vendoset edhe kaska mbrojtëse.

Përveç shkeljeve që bëjnë drejtuesit e mjeteve, ka edhe shumë përdorues të rrugës (këmbësorë), të cilët shkelin rregullat e qarkullimit dhe janë burim aksidentesh. Sipas mendimit tuaj, a dinë të ecin në rrugë qytetarët e Tiranës? A i zbatojnë ata rregullat e qarkullimit?

Kemi pasur aksidente ku kanë qenë të përfshirë këmbësorët. Nga verifikimet e mëvonshme që janë bërë ka rezultuar që në disa aksidente vetë këmbësorët kanë qenë fajtorë. Sepse, ne shikojmë në jetën e përditshme që ata ndërpresin rrugën vend e pa vend. Ata nuk kalojnë aty ku janë vijat e bardha, ku ka semaforë të cilët udhëzojnë në lëvizjen e tyre, ku janë mbikalimet. Ne kemi pasur raste edhe në superstradë, ku edhe duke pasur mbikalimin 10 m larg, ka ndërprerë karrexhatën kryesore të superstradës dhe ka ndodhur aksident fatal. Ne si polici, gjatë takimeve që kemi kryer, por edhe nëpërmjet broshurave që kemi shpërndarë, kemi sensibilizuar gjithë opinionit që të zbatojë rregullat e qarkullimit rrugor. Për të qenë të vëmendshëm, për të respektuar semaforët, sinjalistikën rrugore, duhet të theksoj se çdo masë e marrë nga qarkullimi rrugor është në dobi të forcimit të sigurisë rrugore.

Ndërkohë që edhe drejtuesit e mjeteve nuk kanë respekt për këmbësorët. Ata nuk ndalojnë kur këmbësorët ecin përgjatë vijave të bardha. ǒmund të na thoni rreth këtij fakti?

Kur këmbësori ka shkelur në vijat e bardha, është e detyruar për drejtuesit e mjeteve që të ndalojnë. Pavarësisht se shenja e semaforit u jep të drejtë atyre të lëvizin. Në qoftë se konstatohet nga drejtuesi që këmbësori ka shkelur vijat e bardha, duhet të ndalojë patjetër.

Përveç parkimeve të gabuara, cilat janë shkaqet e tjera që bëjnë që trafiku të jetë i rënduar?

Një shkak tjetër është se ne kemi shumë kryqëzime në qytet, të cilat janë të vështira, p.sh., ura te Teknologjikja që ka shumë hyrje e dalje, semaforët, të cilët herë punojnë e herë nuk janë funksionalë, mungon sinjalistika rrugore, mungojnë vijëzimet e rrugëve, vijat e bardha për këmbësorët dhe infrastruktura rrugore, e cila po përballon një ngarkesë shumë të madhe mjetesh. Ne po vazhdojmë me punën tonë. Vëmendja është tek këto pikat e nxehta, siç është tek ura teknologjike, siç janë tregu, rruga “5 maji”, ku është tregu. Me të gjitha mundësitë e mjetet tona jemi angazhuar totalisht për të krijuar një rrjedhshmëri trafiku. Mund të them që herë pas here ka bllokim trafiku, por nuk mund të themi që ka bllokime fatale që mund të shkojnë 30 minuta deri në një orë.

Në Tiranë është problem gjetja e një vendi parkimi. Çdo drejtues mjeti një nga problemet më të mëdha ka gjetjen e një vendi ku ai të parkojë makinën. Në disa raste kur ajo lihet keq, merret me karrotrec. Sipas mendimit tuaj, do gjejë ndonjëherë zgjidhje Tirana për sa i përket parkimit të mjeteve?

Kemi dëgjuar që shumë projekte janë për t’u realizuar për të ndërtuar parkime të nëndheshme, pasi ka një fluks të madh mjetesh dhe shumë drejtues nga nevoja e problemet që kanë detyrohen të bëjnë këto shkelje. Por, deri tani nuk po shohim hapa konkrete në qytetin e Tiranës. Parkimet e gabuara pengojnë lëvizjen e mjeteve dhe krijojnë trafik. Ne do të vazhdojmë konstatimet dhe ndëshkimet të këtyre shkeljeve, pasi jemi të vendosur për të mos lejuar kaos në trafikun e qytetit. Jemi të vendosur për të forcuar sigurinë rrugore, për të krijuar lehtësi trafiku në nivelet që kanë qytetet evropiane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›