Bien në lumë vëlla e motër, nuk dihet fati i 13-vjeçares
Dy adoleshentët kanë qenë duke kaluar lumin me kalë, por shirat kanë shkaktuar rritjen e nivelit të tij
VLORË - Një 13-vjeçare ka përfunduar në ujërat e lumit Shushicë në fshatin Gjormë të Vlorës, teksa deri në orët e vona të mbrëmjes ende nuk dihej nëse ishte gjallë apo jo. Ndërkohë, nga rrjedha e lumit ka arritur të shpëtojë vëllai i saj, 15 vjeç. Të dy fëmijët nga e njëjta familje kanë rënë në ujërat e lumit, teksa tentonin të kalonin me një kalë. Forca të shumta të policisë, si dhe forca të RENEA-s, por edhe banorë të shumtë të këtij fshati, kanë mbërritur në vendngjarje, porsa është mësuar për fatkeqësinë, megjithatë edhe pas kërkimeve të shumta, ende nuk ka asnjë dijeni se ç'ka ndodhur me 13-vjeçaren.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së të shtunës, në afërsi të fshatit Gjorm, në ujërat e lumit Shushicë. Si edhe herë të tjera fëmijët kanë pasur ndihmën e kalit për të kaluar ujërat e lumit, por këtë herë tentativa ka rezultuar tragjike për 13-vjeçaren, të cilën e ka marrë rrjedha dhe nuk dihet se ku e ka shpënë. Kjo për faktin pasi shirat e shumtë të rënë ditët e fundit kanë çuar në rritjen e nivelit të lumit.
Vajza ka qenë së bashku me të vëllanë në pjesën ku kanë tokat dhe të dy së bashku po përpiqeshin të kalonin lumin me kalë për të shkuar më pas në shtëpi. Moti i keq ka bërë që kalimi të mos ishte kaq i lehtë. Kali nuk ka mundur dot të mbajë dy fëmijët lart dhe ka rënë së bashku me ta në ujë. Vëlla e motër kanë përfunduar në ujërat e lumit dhe për të dalë që aty prej tyre ia ka arritur vetëm 15-vjeçari. Rrjedha e ujit ka marrë vajzën, duke mos e lejuar as të vëllanë t'i jepte ndihmë. Moti i keq i ditës së djeshme ka nxitur egërsimin e lumit. Djali ka mundur të dalë nga ujërat e tij, por ende nuk dihet fati i 13-vjeçares me iniciale E.M.
Afërsia e lumit me zonën e banuar ka bërë që ngjarja të mësohet shumë shpejt. Në ndihmë për gjetjen e vajzës kanë nxituar shumë nga banorët e zonës, por edhe të tjerë të zonës ngjitur. Mësohet se janë me dhjetëra njerëz që janë vënë në kërkim. Po kështu në zonë kanë shkuar forca policie e më pas ata të RENEA-s, si dhe polumbarë. Kërkimet vijojnë, por deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës asgjë nuk dihej për fatin e adoleshentes.