Grupi i Grave Deputete dhe RrGGK reagojnë ndaj gjuhës denigruese të hoxhës Irfan Salihu

(E plotësuar) Edhe Rrjeti i Grupit të Grave e ka dënuar gjuhën fyese të hoxhës Irfan Salihu.
"Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) përkrah reagimin dhe kërkesat e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës lidhur me gjuhën denigruese, poshtëruese, fyese dhe të pamoralshme, e cila është përdorur nga hoxhë Irfan Salihu, imam në xhaminë Suzi Zerrini të Prizrenit, ndaj grave të Kosovës", thuhet në reagimin e tyre.
---
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, përmes një deklarate për media shpreh indinjatën e thellë për gjuhën denigruese, poshtëruese, fyese dhe të pamoralshme, e cila është përdorur nga hoxhë Irfan Salihu, imam në xhaminë Suzi Zerrini të Prizrenit, ndaj grave të Kosovës”.
”Ky diskurs nuk mbështetet as mbi vlerat universale që ka krijuar njeriu, as mbi vlerat e besimit islam, e as mbi vlerat kombëtare shqiptare. Kjo është gjuhë e papranueshme jo vetëm për gratë, por për çdo qenie njerëzore. Kjo gjuhë denigruese e ka vetëm një qëllim, të helmojë mendjet e besimtarëve me ide të papranueshme edhe për shoqëritë më fanatike; të denigrojë figurën e gruas, nënës, vajzës, ta poshtërojë atë deri në pikën e fundit dhe t’i hapë rrugë nënshtrimit dhe pabarazive shoqërore.
Kjo gjuhë e këtij hoxhe por edhe e disa udhëheqësve të tjerë fetarë në Kosovë është gjuhë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen në Kosovë, në lidhje me unitetin e shoqërisë, mund të shkaktojë përçarje dhe urrejtje. Kosova nuk është një shoqëri me përçarje sektare prandaj secili prej nesh duhet të çohet në këmbë për të mbrojtur vlerat që i kemi kultivuar me shekuj.
Gjuha e përdorur nga hoxhë Salihu bën thirrje për dhunimin e drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Populli i Kosovës i ka përcaktuar aspiratat e veta me këtë Kushtetutë ku thuhet: “Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.”
Çfarë do lloj thirrje apo predikimi që shkon në kundërshtim me këto vlera është antikushtetues dhe antikombëtar.
Prandaj:
-Grupi i Grave Deputete kërkon nga Bashkësia Islame e Kosvës të distancohet publikisht nga gjuha e hoxhë Irfan Salihut dhe të sqarojë publikisht nëse ai është i emëruar nga BIK-u.
-GGD kërkon nga të gjithë aktorët e shoqërisë dhe institucionet e Kosovës që të dënojnë ashpër gjuhën poshtëruese kundër grave që vjen nga udhëheqes fetarë, të cilët keqpërdorin lirinë e shprehjes brenda institucioneve fetare.
-GGD gjithashtu i bën thirrje mediave që të raportojnë me profesionalizëm dhe në mënyrë të balancuar lajmet në lidhje me këto raste dhe të mos të krijojnë opinione të shtrembëruara në lidhje me përkrahjen që gëzojnë këta persona në shoqëri”, thuhet në reagimin e Grupit të Grave Deputete./Indeksonline/