E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i Krizave: Protokolli dëmtoi lidhjet EULEX-Kosovë

 

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka qetësuar Prishtinën zyrtare me deklaratën e fundit, se protokolli EULEX-Serbi nuk e cenon sovranitetin e Kosovës, por ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, se ky protokoll i ka dëmtuar plotësisht marrëdhëniet mes EULEX-it dhe Kosovës. Deklarata erdhi nga Marko Prelec, drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Sipas tij, përgjegjësia është e të dyja palëve, por para së gjithash e EULEX-it. Gjatë një interviste për “Evropa e Lirë”, kreu i Grupit të krizave për Ballkanin, tha se kritikat e tij i drejtohen EULEX-it, pasi misioni duhej të ishte “shumë më transparent” dhe do të duhej ta përfshinte Qeverinë e Kosovës në proces sa më shpejt që të ishte e mundur. Por edhe qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë e saj. “Qeverinë e Kosovës duhej të kishte këmbëngulur që të kishte një rol aktiv në negocimin e protokollit dhe jo të rrinte mënjanë e të përpiqej ta sabotonte. Nëse Qeveria e Kosovës do të kishte këmbëngulur që të konsultohej lidhur me protokollin, pa diskutim që do të kishte pasur ndikim. Ata nuk e zgjodhën këtë rrugë dhe vepruan gabim”, theksoi ai. Prelec tha se nuk dinte nëse BE-ja do të ndryshojë qëndrim me dy protokollet e tjera, por sipas tij, ka një lloj ndërgjegjësimi. “Kjo është shqetësuese. Ka nevojë për më shumë fleksibilitet. Kemi dëgjuar shumë të thuhet nga BE-ja se po e ndihmojmë Kosovën, po përpiqemi së tepërmi dhe se qëllimet tona janë të mira. Deklarata të tilla nuk ndihmojnë”, tha Prelec. “Momentalisht, evropianët e misionit të EULEX-it nuk po shihen si të tillë. Është përgjegjësi e tyre që ta rregullojnë dëmin e shkaktuar”, tha ai.
Reagimi i serbëve
Serbët e Kosovës deklaruan se nuk do ta pranojnë protokollin për bashkëpunimin policor mes EULEX-it dhe Serbisë dhe asnjë protokoll tjetër, nëse ato formohen jashtë kornizës së Rezolutës 1244. Liderët serbë, Milan Ivanoviç dhe Dragan Veliç, nga Këshilli Kombëtar Serb në Kosovë shtuan e ajo që nuk pranohet nga populli është e pazbatueshme. Ivanoviç, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, tha se protokolli nënkupton forcimin e kontrollit në pikat dhe vijën kufitare në bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës. Sipas tij, serbët e Kosovës kanë parasysh që EULEX-i zbaton planin e Ahtisarit për Kosovën e pavarur dhe, në anën tjetër, pjesëmarrja e Policisë së Kosovës do të nënkuptonte vendosjen e një sistemi unik të policisë. Liderët serbë të Kosovës theksuan se serbët e Kosovës këto ditë janë duke e nënshkruar peticionin kundër pranisë së EULEX-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›