Hagë, dita e fundit e deklaratave për pavarësinë
Dje ishte dita e fundit kur shtetet që do të deklaroheshin për pavarësinë e Kosovës në Gjykatën e Hagës do të dorëzonin raportet e tyre. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e përmbylli dje dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje për të gjitha shtetet. Seancat dëgjimore për rastin e Kosovës, pritet të fillojnë më 1 dhjetor të këtij viti. Në to do të marrin pjesë autoritetet e Serbisë dhe të Kosovës. Pranë përmbylljes së afatit, Rusia ka njoftuar pjesëmarrjen e saj në mbështetje të kërkesës së Serbisë për “paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”. Pritet që në seanca të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, në mbështetje të autoriteteve në Prishtinë. Dhjetëra vende, mes të cilave edhe Kosova, por edhe Serbia, i kanë dorëzuar argumentet e tyre në Gjykatë për këtë rast, në afatin e përcaktuar në korrik të këtij viti. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, miratoi në shtator të vitit 2008, rezolutën e Serbisë, me të cilën kërkohet mendimi këshillëdhënës i Gjykatës së Hagës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.