E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifrat skandaloze të diplomacisë shqiptare Nga Revista “Mapo”Diplomacia shqiptare ka qenë gjatë katër vjetëve të fundit arenë e një procesi të ngadaltë, por të pandashëm degradimi profesional dhe përdorimi politik nga ana e qeverisë së pas-korrikut

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shifrat skandaloze të diplomacisë shqiptare Nga Revista “Mapo”

Diplomacia shqiptare ka qenë gjatë katër vjetëve të fundit arenë e një procesi të ngadaltë, por të pandashëm degradimi profesional dhe përdorimi politik nga ana e qeverisë së pas-korrikut 2005. Mesazhet diplomatike që ajo ka lëshuar, por edhe më shumë mënyra se si ajo është transformuar dhe organizuar me kalimin e viteve, kanë treguar se voluntarizmi politik i kryeministrit dhe partisë së tij kanë vepruar me energji për të spostuar dhe prishur disa ekuilibra që në një ambient delikat si diplomacia i kalojnë kufijtë e shumicave politike dhe qeverive që shkojnë e vijnë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka humbur gradualisht, pas vitit 2005 kujdesin formal dhe dëshirën për t’iu përmbajtur kuadrit të rregullave e ligjeve që disiplinojnë sistemin tonë të shërbimit të jashtëm. Statusi i diplomatit, politikat e rekrutimeve dhe sistemi i gradave kanë pësuar gjatë katër vjetëve një shpërfytyrim të lexueshëm dhe dëshpërues. Militantë partiakë, njerëz pa asnjë lidhje apo eksperiencë diplomatike, persona të rastësishëm që postin e diplomatit e kanë shfrytëzuar thjesht dhe vetëm për të shkuar dhe qëndruar jashtë vendit, kanë vërshuar ngadalë në poret e ministrisë dhe të sistemit të saj të përfaqësive jashtë vendit.

Nga ana e qëndrimeve të saj, MPJ është angazhuar në disa raste në beteja me një karakter të qartë partiak dhe jo shtetëror. Të tilla kanë qenë inkursionet e diplomatëve tanë në SHBA kundër gazetës amerikane “Nju Jork Times”, ideja e hedhur për largimin e Prezencës së OSBE apo kërkesa ndaj ambasadores Glover për të mos pranuar postin e shefit të delegacionit të vëzhguesve të ODIHR.

MPJ si zyrë pune

Diplomacia shqiptare gjatë viteve të fundit ka qenë çerdhe e një procesi të gjatë emërimesh konjukturale dhe në shkelje të hapur të kritereve ligjore. Diplomatët e karrierës janë zëvendësuar me familjarë, militantë pa asnjë lidhje me diplomacinë dhe shpesh me njerëz me profil të ulët profesional dhe kulturor. Ky fenomen vihet re kryesisht në përfaqësitë e Uashingtonit, në Misionin pranë OKB në Nju-Jork, ku nuk ka më thuajse asnjë diplomat që vjen nga radhët e MPJ, por thjesht të emëruar politikë jashtë sistemit.

Gjithashtu, edhe në Moskë, Athinë, apo Beograd, dominojnë emërimet klienteliste. Aspekti flagrant është shkelja e ligjit për shërbimin e jashtëm, sepse njerëzit e emëruar nëpër misione e ambasada, jo vetëm që nuk kanë asnjë ditë eksperiencë në shërbimin diplomatik apo asnjë lidhje me fushën e politikes se jashtme, por ç’është më e rënda janë rekrutuar duke injoruar dhe anashkaluar të gjitha shkallët formale të emërimit, duke nisur nga konkurset e deri te vjetërsia, gradat etj. Sa për shembull, rasti i fundit flagrant i emërimeve politike dhe pa asnjë kriter profesional është emërimi i zëdhënëses së shtypit si diplomatja nr. 2 në Bruksel.

O burra në ambasadë!

Ambasadat janë pasqyra e një sistemi të jashtëm. Ato përballen me partnerët ndërkombëtarë, me miqtë dhe kundërshtarët. Nëse i hedh një sy përfaqësive tona jashtë vendit, në momentin aktual do të gjesh aty gjithfarë llojesh.

Konkretisht, ambasada jonë në Turqi, nga katër diplomatë, dy (përfshirë dhe ambasadorin) i ka të emëruar politikë. Më tej akoma, ambasada në Spanjë nuk ka fare titullar, por një diplomat të emëruar duke shkelur ligjin. Ambasada në Arabinë Saudite ka një ambasador të emëruar politikisht e jo funksionar karriere. Ambasada në Zvicër i ka të dy diplomatët aktualë, ambasadorin dhe sekretarin e dytë, të emëruar politikisht. Ambasada në Austri është pa ambasador, por ajo ka në përbërjen e saj dy diplomatë të emëruar direkt nga rruga. Misioni ynë në Strasburg ka ambasadorin dhe një diplomat të emëruar politikisht. Përfaqësia në Kosovë, një rast tipik ky, nga gjashtë diplomatë, katër i ka të emëruar pa përfillur asnjë ligj në fuqi që rregullon shërbimin me jashtë.

Ambasada jonë në Romë shkon edhe më larg, kur nga shtatë diplomatë, pesë i ka të emëruar politikisht. Ndërkaq edhe Vatikani nuk ka shpëtuar pa u ngjyrosur. Ambasadori ynë atje nuk ka asnjë lidhje me sistemin diplomatik. Më tutje, ambasada jonë në Rumani ka një diplomat të emëruar në shkelje të ligjit, përfaqësia në Izrael ka gjithashtu ambasadorin si emërtesë politike. Ambasada në Gjermani ka dy diplomatë të emëruar jashtë sistemit, përfaqësia në Britaninë e Madhe nga shtatë diplomatë, përfshirë ambasadorin, ka tre diplomatë të emëruar politikisht. Ambasada jonë në SHBA është një shembull ekzemplar i vullnetit politik që del mbi ligjin. Në këtë përfaqësi, duke nisur nga ambasadori, ka edhe katër diplomatë të tjerë të emëruar në rrugë politike, me përjashtim të një diplomati të vetëm që ka shkuar atje si diplomat karriere. Gjithashtu, ambasada në Paris ka tre diplomatë të emëruar politikisht, përfshirë ambasadorin, kurse ambasada jonë në Athinë ka vetëm dy diplomatë karriere dhe gjashtë diplomatë të emëruar direkt, pa kaluar nëpër filtrat e ligjit. Megjithatë, kur sheh listën e të emëruarve në misionet dhe përfaqësitë tona jashtë vendit, Brukseli tërheq menjëherë vëmendjen. Misioni ynë në BE dhe Belgjikë, i shumtë nga numri për shkak të natyrës së punës, nga njëmbëdhjetë diplomatë që ka aktualisht, nëntë janë të emëruar politikisht. Pra, jo në përputhje me rregullat e emërimit në ambasadat jashtë vendit.

Nga ana tjetër, konsullatat tona janë kthyer në epiqendra miqsh dhe të njohurish, ku shpesh korrupsioni dhe tarafet bëjnë kërdinë. Emërimet në këto ambiente janë thuajse totalisht nepotike dhe politike, në kundërshtim me kriteret ligjore bazë. Konkretisht, konsullata jonë në Selanik drejtohet nga ish-kryetari i PD në Korçë dhe në përbërjen e saj ka edhe një diplomat tjetër të emëruar politikisht. Konsullata jonë në Bari ka tre diplomatë të emëruar politikisht (përfshirë konsullin) dhe një diplomat karriere. Konsullata jonë në Milano të pestë diplomatët i ka të emëruar politikisht.

Në një pamje të përgjithshme, në 43 ambasada, misione e konsullata, drejtojnë sot 24 ambasadorë të emëruar në rrugë politike, katër ambasada janë pa titullar dhe vetëm 15 prej tyre drejtohen nga diplomatë karriere. Ligji i shërbimit me jashtë e përcakton qartë ndërkohë në mënyrë taksative, se vetëm 20% e titullarëve të trupit tonë diplomatik jashtë vendit mund të jetë emërtesë politike. Pra, numerikisht vetëm 9 ambasadorë duhej të ishin politikë, ndërsa janë plot 24 të tillë.

Mes këtyre titullarëve, ka tre ish-kryetarë dege të PD, një ish-kryetar komune po i PD dhe një ish-deputet i Partisë Demokratike. Siç shihet, një prezencë politike përtej çdo sensi mase dhe kriteri për një shtet që pretendon se përmbush standardet dhe respekton ligjet.

Sa i takon diplomatëve të tjerë që shërbejnë në ambasada, nga totali i 151 personave që gjenden aktualisht në misionet tona jashtë vendit, rezulton se vetëm 67 prej tyre janë diplomatë karriere dhe plot 84 të tillë diplomatë të emëruar politikisht. Ndërsa e lejon në masën 20% emërimin e ambasadorëve politikë, ligji nuk lejon në asnjë mënyrë që diplomatët të ndjekin të njëjtën logjikë promovimi dhe emërimi. Mjafton kjo shifër për të kuptuar se në ç’gjendje ndodhet trupi ynë diplomatik jashtë vendit. Vlen të përmendet në fund se rreth 98% e shoferëve nuk kanë punuar asnjë ditë në MPJ, janë dërguar direkt nga jashtë, falë aktivizimit dhe lidhjeve të tyre partiake.

Një “OKB” e vogël

Ministria e sotme e Punëve të Jashtme ka sot një titullar me bashkëshorte holandeze, një zv/ministre me bashkëshort turk dhe një sekretar të përgjithshëm me bashkëshorte franceze. Aty gjen gjithashtu edhe një këshilltar të ministrit që ndryshe i thërrasin nëpër korridore “Naltmadhnia Juaj”, por që si i tillë duhet trajtuar edhe nga ambasadat e huaja në Tiranë, sipas porosisë së ministrisë tonë. Aty gjen zv/ministra që kanë ndezur sherre mes krerëve të shtetit apo të tjerë zv/ministra që s’kanë as lidhjen më të vogël me profesionin e diplomatit. Ministria e sotme e Punëve të Jashtme është diçka që ngjan herë me një degë partie politike, e herë me një magazinë militantësh, miqsh dhe personash që kanë ndalur rastësisht në këtë “vitrinë” lozonjare të shtetit.

Megjithëse janë të paktë në numër dhe takohen rrallë, titullarët e institucionit janë në konflikt të hapur me njëri-tjetrin. Fjala është për ministrin Basha, i cili mungon në një pjesë të mirë të kohës në ministri dhe zv/ministren Harxhi, për të cilën thuhet se është e shkarkuar dhe që për këtë shkak nuk vjen fare në detyrë. I mbetet në këto rrethana që “çelësat” e shtëpisë t’i ketë në dorë njeriu më i rastësishëm në hierarkinë diplomatike shqiptare, zv/ministri Gurakuqi.

Struktura e ministrisë, çfarë masakre

Një qeveri që u angazhua për të shkurtuar ndjeshëm shpenzimet e saj të brendshme, kreu në diplomaci një proces zgjerimi dhe burokratizimi spektakolar të paprecedent. Prishja e strukturës së MPJ dhe ristrukturimi i saj pas vitit 2005, është bërë vetëm për qëllime abuzive për të larguar ekspertët e paanshëm dhe për të futur në punë miqtë personalë dhe ata politikë. Konkretisht, u prish dhe u ngrit sërish Drejtoria e Minoriteteve, u shkri Drejtoria e Analizë-Prognozës, nuk ekziston më Drejtoria Ekonomike, u formuan poste drejtorësh të përgjithshëm sipas një piramide që në tërësinë e saj kishte më shumë gjeneralë sesa ushtarë. Kjo strukturë qesharake deri në grotesk strehon sot të paaftë gjithfarësh që tundin vetëm kredencialet politike dhe që kujdesen ta kenë mirë me shefin e radhës.

Çfarë ke në valixhe Shkëlqesi?!

Trafiku i drogës ka qenë një fenomen që ka prekur rëndë trupin tonë diplomatik vitet e fundit. Rastet e diplomatëve dhe shoferëve, si ai i Shkupit se fundit apo i Milanos një vit më parë, dëshmojnë se imuniteti diplomatik po përdoret për të transituar jo rrallë substanca narkotike. Sekretari i dytë i ambasadës tonë në Maqedoni u kap me një sasi të jashtëzakonshme droge (rreth 65 kilogramë), një rast ekstrem ky i implikimit të diplomacisë tonë në një aferë që dëmton rëndë imazhin e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›