E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i PS: “Ja disa nga pikat e rregullores së re”

Autori i Lajmit: S. Topi

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në mbledhjen më të parë të tij pritet të diskutojë jo vetëm emrat për kryesinë e tij, por dhe rregulloren e re të funksionimit. Mbledhja e deputetëve socialistë, e lënë për të martën, është shtyrë për një ditë më pas, për ditën e mërkurë, edhe pse sot pritet që të zhvillohet Konferenca e Kryetarëve ku është ftuar të marrë pjesë dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së. Sipas burimeve nga PS, një nga ndryshimet e parashikuara në rregullore është formimi i kryesisë së Grupit Parlamentar me pjesëmarrjen jo vetëm të kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit, por edhe me atë të kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe të nënkryetarit të Kuvendit. “Të gjithë deputetët socialistë do të vlerësohen sipas rolit që do të luajnë qoftë në jetën parlamentare ashtu edhe në debatet politike. Për këtë qëllim secilit prej të zgjedhurve do ti bëhet performanca ku indikatorët matës do të jenë aktivizimet në debatet parlamentare, interpelancat e thirrura prej tyre, konferencat e shtypit, intervistat etj.”, - thuhet në një tjetër pikë të rregullores. Aty shtohet më tej se “pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve parlamentare, seancat plenare është e detyrueshme, veç rasteve të justifikueshme. Gjithashtu, parashikohet që deputetët do të respektojnë vendimet e strukturave edhe në rastet e bojkotit. Kjo pikë detyron çdo deputet të respektojë vendimet e shumicës. “Mënyra e votimit për projektligje apo raporte të ndryshme do të orientohet nga kryesia e grupit. Në rastet e vendimeve politike, çdo deputet është i detyruar të zbatojë vendimmarrjen e strukturave. Për të gjitha shkeljet parashikohen masat disiplinore të parashikuara edhe në statut”, - thuhet në një tjetër pikë. Rregullorja e re e socialistëve parashikon më tej se “shprehja e qëndrimit të grupit në seancat plenare për çdo projektligj do të bëhet nga kryetari apo nënkryetari i komisionit parlamentar përgjegjës”.
Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›