Kakavijë, izolohet “zona e kontrollit doganor”
KAKAVIJE - Izolohet me hekura Pika Kufitare e Kakavijës. Një gardh rreth 1 metër i lartë ka izoluar plotësisht territorin doganor dhe atë policor, ku me etiketimin “standard europian” quhet zona e kontrollit doganor nga pjesa tjetër ku janë instaluar të gjitha shërbimet e nevojshme për tregtarët dhe udhëtarët, si: filialet e bankave, pikat e lëshimit të siguracioneve, baret dhe fast-food-et. Prej dy javësh territori i Doganës së Kakavijës është vënë nën vëmendjen e disa kontrolleve nga shërbimi europian doganor dhe nga ekipet kontrollit të misionit policor MAPE. Në fokus të këtyre kontrolleve është respektimi i standardeve ligjore-shqiptare dhe të BE-së për procedurat e kontrollit, territorin dhe zonën doganore. Një drejtim tjetër i përshtatjes së procedurave shqiptare me ato europiane është edhe adaptimi i parimit “një ndalesë një kontroll”. Kjo do të thotë që çdo automjet apo udhëtar do të ndalojë vetëm një herë brenda “zonës së kontrollit doganor” dhe gjatë kësaj ndalese kryhen të gjitha kontrollet e pasaportës, dokumentacionin e automjetit, kontrolli fizik dhe çdo lloj kontroll tjetër. Në kuadrin e këtyre ndryshime bëjnë pjesë edhe vendosja e doganierëve dhe policëve në të njëjtën pikë kontrolli, organizimi i ri i parkingut të doganës, parkingut të automjeteve të punonjësve doganor dhe policisë si dhe parkingut të taksive. p.n