E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, vidhet “nuli” në kabinë, 200 familje pa energji elektrike



SHKODER - Vjedhje masive në kabinat elektrike në Shkodër. Gjatë një jave shënohen 10 raste, kur hajdutët kanë pasur si qëllim sigurimin e kabllove prej bakri për shitjen e tyre. Ngjarja më e fundit është shënuar në kabinën elektrike të lagjes "Daniel Matlija", duke lënë për rreth 12 orë pa energji 200 familje. Banorët thanë dje se, jo vetëm që kanë qëndruar pa drita, por me dhjetëra pajisje u janë dëmtuar. Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët. Sipas tyre, në të 10 rastet objekt ka qenë ajo pjesë e kabllos që quhet "nul". Vjedhja e tij dyshohet se është bërë për t'u shitur për skrap. Rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar kanë shpërthyer me forcë drynin e kabinës elektrike në lagjen "Daniel Matlia", kanë hyrë brenda saj dhe pasi kanë këputur kabllon e "nulit", janë larguar me shpejtësi. Ky veprim ka bërë që rreth 200 familje që furnizohen nga kjo kabinë të mbesin në errësirë të plotë, deri pasditen e së martës. Menjëherë uniformat blu kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë filluar nga puna për hetimin e këtij rasti, i cili mendohet se ka lidhje me vjedhjet e tjera. Brenda një jave mësohet të jenë vjedhur 10 kabina të tilla, ku në secilën prej tyre është marrë pjesa e "nulit", me një gjatësi prej rreth 6-7 metër. Ndërkohë që specialistë të ndërmarrjes elektrike në Shkodër pohojnë se 2 janë arsyet pse vidhet kjo pjesë: sepse "nuli" nuk ka rrymë elektrike siç ka "faza" dhe për pasojë nuk ka rrezik për jetën e grabitësit. Ndërsa arsyeja e dytë se kablloja e "nulit" është uniformë ose damar, siç thirret ndryshe dhe ka peshë. Një pjesë me gjatësi 6-7 metra peshon deri në 10 kg dhe kushton në shitjen e tij për skrap bakri. Dëmi që i është shkaktuar zonës nuk lidhet vetëm me shkëputjen e energjisë, por dhe me djegien e një sërë pajisjesh. Të revoltuar, banorët kërkuan që jo vetëm të gjenden autorët, por ndërmarrja elektrike t'u paguajë dëmin. "Nuk është detyra jonë që të ruajmë kabinat elektrike natën", shprehen ata. Pas disa orësh, kabllo është zëvendësuar, por për punonjësit e ndërmarrjes elektrike, problem mbetet ruajtja e mëtejshme e kabinave. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›