Nëndetësja e NATO-s mbërrin në Durrës
DURRES/ OERD ULQINI
Për herë të parë në historinë e tij porti i Durrësit vizitohet nga një nëndetëse, vlera e së cilës llogaritet në të paktën 285 milionë dollarë. Ka qenë ora 08:00 e së martës kur nga thellësia e kanalit hyrës të portit u shfaq mjeti i sofistikuar nëndetar. Në pjesën më të lartë të nëndetëses veç flamurit turk valëvitej njëkohësisht edhe flamuri shqiptar, pikërisht nga dy vendet që janë pjesë e aleancës së NATO-s. Vizita e nëndetëses mike nga Turqia është përkthyer nga banorët e Durrësit si mesazhi që Shqipëria është në kahun e duhur të gjeopolitikës. Në këto kohë kur bota kërcënohet nga terrorizmi, tirania apo diktaturat, vendi ynë është rreshtuar në aleancën e duhur. Statusi i vendit anëtar të NATO-s i ka dhënë vendit tonë të drejtën e pritjes së anijeve nga më modernet e vendeve të aleancës së Atlantikut të Veriut. Megjithatë vizitat tek nëndetësja turke për arsye sigurie janë të parashikuara vetëm për grupe të caktuara diplomatësh, ushtarakësh apo drejtuesish lokalë dhe jo për komunitetin e gjerë. Për t’u uruar mirëseardhjen marinarëve turq, kishte dalë në kalatën numër katër të portit të Durrësit shefi i shtabit të forcave detare të Shqipërisë kapiteni i rangut të parë, Roland Nasto. Ekuipazhi i anijes nëndetare do të zhvillojë një vizitë miqësore dyditore në kuadër të bashkëpunimit shqiptaro-turk të forcave detare. Hierarkët turq që komandojnë nëndetësen së bashku me marinarët kanë parashikuar të zhvillojnë vizita në Prefekturë, Qark, Këshillin e qarkut, bashkinë e Durrësit dhe komandën e Forcave detare në Plepa. Sipas burimeve nga Shtabi i forcave detare në 48 orët e qëndrimit të tyre do të organizohen gjithashtu vizita në muzetë dhe monumentet historike të Durrësit dhe Krujës. Nëndetësja turke është e klasit 209 dhe si e tillë ka një fuqi tepër të lartë zjarri në operacionet sulmuese. Ajo është një prodhim gjerman, e ndërtuar në fund të viteve ‘90 në kantierin e Hamburgut dhe si e tillë është ndër më cilësoret e vendeve të aleancës, pasi arrin të zhytet deri në thellësinë 500 metra, duke kryer operacione nga më të vështirat në betejat detare. Shumë kureshtarë kanë parë dje nga ambientet e portit nëndetësen e fuqishme. Në portin e Durrësit është hera e parë që mbërrin një e tillë. Para viteve ’90, nëndetëset me origjinë sovjetike ishin pjesë e repartit të Porto-Palermos në Vlorë.