E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi Kutia e Ruzhdies mbërrin në gjykatë

Autori i Lajmit: S.T
Hetimi për abuzimet lidhur me kutitë e votimit në fshatin Ruzhdie tashmë ka mbërritur në gjykatë. Prokuroria e Fierit, pas hetimit të bazës materiale zgjedhore, por dhe të fletëve të votimit, vërtetoi shkeljet e bëra nga 5 komisionerë të djathtë. Të gjitha materialet e faktuara prej saj i kanë kaluar tashmë për gjykim gjykatës së rrethit. Në raportin e Prokurorisë detajohen të gjitha shkeljet e bëra, gjithashtu jepen dhe emrat e personave që kanë falsifikuar dhe manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.
Hetimi
Prokuroria e Fierit ka hetuar dhe faktuar manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdie të Fierit. Hapja e kutive është realizuar nga kjo prokurori në hetimin e 5 komisionerëve të djathtë, shumica të Partisë Demokratike në qendrën e votimit 3052 të KZAZ numër 19, në bazë të një padie të ngritur nga Partia Socialiste, se komisionerët po bënin proces të jashtëligjshëm votimi, falsifikim dhe votim me shumë së njëherë. Të akuzuarit janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zëvendëskryetar dhe anëtarët e komisionit Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Prokuroria sekuestroi kutinë e materialeve të qendrës së votimit 3052 dhe nisi hetimin. Prokuroria vuri re se nga 592 zgjedhës në listë, rezultonin të kishin votuar 525 prej tyre. Por komisionerët socialistë pretendonin se aty ka pasur falsifikim votash. Për këtë arsye Prokuroria mori nga drejtoria e kufirit të dhënat e sistemit TIMS, që regjistron të gjithë personat që hyjnë dhe dalin në Shqipëri dhe rezultoi se 111 persona nga ky fshat, në moshë për të votuar, kanë qenë jashtë vendit dhe se nga këta 80 persona rezultonin që të kishin votuar. Në raportin e Prokurorisë thuhet se 80 personave që rezultojnë të kenë votuar u janë falsifikuar firmat, numrat e pasaportave dhe numrat e kartave të identitetit. Në raportin e paraqitur në gjykatë thuhet: “Nga tërësia e veprimeve hetimore të mësipërme rezulton se prej anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit 3052, të pranishëm deri në fund të votimit, janë kryer shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Me pasojë kundërligjshmërinë e këtyre anëtarëve, ka filluar fillimisht me lënien e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të hapur, pa u futur në dhomën e fshehtë. Kanë falsifikuar listën e zgjedhësve duke shënuar në këtë listë përbri emrave të zgjedhësve numra serie të dokumenteve të identifikimit, si pasaporta dhe karta të identitetit të falsifikuara. Kanë hedhur në kutinë e votimit vota për personat që u kanë falsifikuar nënshkrimet dhe numrat e serive të dokumenteve të identifikimit”.
Shkelësit
Në raport jepen edhe emrat e personave që kanë falsifikuar dhe manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. “Në bazë të aktit të ekspertimit grafik, rezulton se anëtari i këtij komisioni, Shezai Kararaj, ka falsifikuar listën e zgjedhësve duke nënshkruar për ta dhe shënuar numrat e serive të dokumenteve të identifikimit të rreme. Anëtari i komisionit Veledin Myftaraj ka votuar për bashkëshorten e tij, Dallandyshe Myftaraj. Zgjedhësi Buran Donaj ka votuar për bashkëshorten e tij, Fatmira Donaj. Zgjedhësi Elmas Donaj ka votuar për djalin dhe vajzën e tij, Elton Donaj dhe Aurora Donaj. Shtetasi Elton Donaj rezulton të ketë qenë jashtë vendit ditën e votimit”. Faktet e gjetura nga Prokuroria i kanë mjaftuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier që të japë masën e sigurisë ndaj 5 komisionerëve të djathtë. Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se shtetasit Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, në bashkëpunim, falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim, votim më shumë se një herë, në bashkëpunim, dhe shkelje të fshehtësisë së votimit, në bashkëpunim. Masa e dhënë nga gjyqtarja Irena Maneku në datën 12 shkurt ndaj 5 komisionerëve të Ruzhdies është detyrim paraqitjeje, deri në nisjen e procesit penal ndaj tyre. Këto detaje dhe pranimi nga gjykata i kërkesës së prokurorisë për gjykim pritet të nxehin edhe më shumë debatin politik në vend, ku opozita e ka sjellë Ruzhdien si shembullin tipik të manipulimit në zgjedhje.

Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›