Grupi i PS-së, përballja me dy filozofitë e veprimit
Mes radikalizmit dhe kërkesës për politikë institucionale – dy prirjet politike për reagimin ndaj situatës së krijuar së fundmi janë bërë pjesë e vendimmarrjes politike në Partinë Socialiste. Edhe pse në përgjithësi kohezioni i selisë rozë gjatë protestave të pranverës që sapo shkoi, dhe sidomos gjatë grevës së urisë, u verifikua si mjaft i qëndrueshëm, duket se ai po vihet në provë nga pauza që pasoi negociatat. Përballë një rezultati jo shumë domethënës, grupi parlamentar i PS-së, 22 anëtarë të të cilit u përfshinë personalisht në grevën e urisë, ka debatuar në mbledhjen e fundit për sa u përket qëndrimeve të mëtejshme. I ndarë veçanërisht për sa i përket idesë së bojkotit parlamentar, ekipi kuvendor socialist ka përvijuar forcimin e linjës institucionale, e cila reflektohet te vendimi i ndërmjetëm i bojkotit të votimit, por jo Parlamentit. Duhet thënë se linja e pjesëmarrjes në institucione, me organizim të oponencës ndaj qeverisë në seanca plenare deri diku është rikonfirmuar, pavarësisht se dje kreu i PS-së, Edi Rama, ka bërë të qartë preferencën e vet për politikën e fortë.
#