Porti i Durrësit, shifra pozitive eksportesh
Eksportet kanë rritur volumin e tyre, ndërsa importet janë tkurrur duke iu afruar në shifra njëra-tjetrës. Ndryshimet janë shndërruar në një tregues për zhvillimin ekonomik përmes biznesit vendas. Aktiviteti i industrive nxjerrëse dhe përpunuese në vendin tonë ka njohur rritje në tregun ndërkombëtar. Mallrat e eksportuara janë kryesisht krom rifuxho, ferrokrom, klinker, çimento rifuxho dhe palet, si dhe tjegulla, llamarinë e skrap hekuri. Këto kanë dalë jashtë vendit përmes anijeve tregtare për t’u hedhur në tregun e huaj, ndërkohë që mospërfshirja në listën e eksporteve e produkteve vendase si fruta, perime ose artikuj të tjerë të konsumit të përditshëm “Made in Albania” lë për të dëshiruar, duke dëshmuar se prodhuesit shqiptarë të tyre ende nuk po mundin të menaxhojnë dhe as depërtojnë në tregun ndërkombëtar, ndonëse rëndom pretendojnë për produkte “bio”. Struktura e eksporteve ka ngelur e njëjta në 2-3 vitet e fundit, por duke njohur rritje në sasi. Megjithatë, disa vite më parë kryesisht eksportet zotëroheshin nga artikujt tekstilë dhe këpucët e qepura në vend, duke shfrytëzuar kështu krahun e lirë të punës në Shqipëri. Krahasuar me një vit më parë pesëmujori i parë i këtij viti ka regjistruar një rritje të ndjeshme në masën 261 për qind, ndërsa importet kanë ngecur në realizimin prej 81 për qind. Akoma dhe më pozitive në shifra është muaji maj në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
StatistikatE nëse eksportet janë një tregues i ecurisë ekonomike të një vendi, atëherë statistikat zyrtare të Autoritetit Portual Durrës flasin për një rezultat pozitiv në këtë drejtim. Marrëveshjet e nënshkruara për tregtinë e lirë, si dhe procesi i integrimit kanë dhënë efektet e tyre dhe në fushën e import-eksporteve, duke mundësuar një nivel më të mirë konkurrence mes prodhuesve të mallrave dhe shërbimeve dhe një nivel më të ulët kontrolli nga ana e qeverisë. Në periudhën janarmaj 2010 janë eksportuar 504 042 tonë mallra nga 192 832 tonë të eksportuar një vit më parë. Rritje ka njohur dhe eksporti e importi me kontejnerë, duke treguar gjithnjë e më shumë se ky lloj transporti është gjithnjë e më i pëlqyer për lehtësitë që ofron. Ndërkaq, importet kanë rënë ndjeshëm. Kriza ekonomike globale, çmimet në tregjet botërore kanë vazhduar të reflektohen në nivelin e importeve të përpunuara në portin detar më të madh të vendit. Këtë pesëmujor janë përpunuar 823 516 tonë mallra nga mbi një milion ton që u përpunuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Industria përpunuese e çimentos në vend ka rritur kapacitetet e saj duke ulur ndjeshëm produktet e importit. Këtë vit janë importuar më pak çimento dhe lëndë e parë e saj, po ashtu dhe hekur e materiale të tjera ndërtimi. Edhe sasia e plehut kimik të huaj ka njohur ulje të ndjeshme. Ndikim në uljen e importeve duket se ka pasur dhe zhvendosja e një pjese të anijeve me karburant drejt portit të Porto Romanos, po dhe shfrytëzimi i rezervave nga ana e kompanive shpërndarëse.
Ndërkaq, lista e produkteve ushqimore të importuara njeh lëvizje të ndryshme që pasqyrojnë luhatjet e çmimeve në tregjet tona. është rritur sasia e bananeve dhe perimeve të importuara, po ashtu dhe e grurit e misrit rifuxho, ndërkohë që ka rënie në produktet e tjera ushqimore, si dhe vaj palete. Në përgjithësi, të gjitha produktet e eksportit kanë rritur sasitë e tyre gjatë këtij viti, ndërsa importet luhaten në kurba që ulen e ngrihen jo me diferenca të mëdha.
#