E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do të përballim pushtetin me fuqinë e rezistencës opozitare

Lideri i PS-së tregon strategjinë që do të nisë në vjeshtë

Protesta dhe përshkallëzimi i veprimit pritet të rikthehen së shpejti në skenën politike në vend. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka konfirmuar dje aksionin opozitar që pritet të nisë në vjeshtë dhe që konsiston përgjithësisht në zbatimin e të njëjtave qëndrime të forta që përshkruan vitin qeverisës që po mbyllet. “Nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi, për asnjë nisëm që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me të gjithë fuqinë e rezistencës sonë në një betejë që do të përshkallëzohet përsëri e përsëri, e përsëri, deri kur Shqipëria të rivendoset në binarët e kushtetueshmërisë dhe transparencës dhe kur qeveria e këtij vendi, cilado qoftë ajo, t’u shërbejë qytetareve", tha ai. Ashtu sikurse edhe është paralajmëruar, selia rozë ka bërë të ditur rifillimin e lëvizjes së rrugës, e cila merr jetë kështu pas një raundi të mbyllur pa sukses të negociatave me palën tjetër. Në një vështrim më të gjerë, vendimi i selisë rozë për të paraprirë zgjedhjet lokale me një tur të ri protestash shënon një distancim të PS-së nga mesazhet e komunitetit ndërkombëtar, të paktën në formën që ato janë përcjellë në Tiranë. Rezoluta e fundit që pritet të marrë firmën finale këto ditë në përmbajtjen e vet apelon për zgjidhje kushtetuese, një formulë që nuk kënaq kërkesat e PS-së për hapjen e kutive të votimit. Edhe pse qëndrimi i artikuluar disa ditë më parë për një bojkot të zgjedhjeve lokale formalisht po lihet në heshtje, është e qartë se projekti i opozitës që zë fill nga lëvizjet e rrugës, bllokim i vendimmarrjes parlamentare, si dhe deri në largim nga Kuvendi, në vetvete e cenojnë integritetit e procesit që zhvillohet në 2011-n. Vetë klima që po paralajmërohet i jep atij një përmasë të fortë politike, e cila nxit perceptimin e një kufiri edhe për ecurinë e mëtejshme të koalicionit qeverisës, nëse opozita do të regjistronte një fitore. Kështu, pasi komuniteti ndërkombëtar ka lënë klasën drejtuese në Tiranë ta zgjidhë krizën politike, pa imponuar një zgjidhje, atëherë edhe opozita duket se po e përpunon këtë hapësirë në funksion të alternativës së vet. Refuzimi për transparencën e zgjedhjeve në termat e kërkuar nga PS-ja është krediti kryesor propagandistik në rimarrjen e politikës së fortë. Sa i përket analizës së faktit dhe realitetit që po afron, kriza ekonomike është ndoshta aleati më i fortë i opozitës, që përditë e më shumë po nënvizon situatën e rëndë ku ndodhet vendi. Lidhur me këtë, Edi Rama ka qenë edhe më i ashpër dje, teksa ka paralajmëruar kolapsin ekonomik, i cili sipas tij ka për autorësi ekskluzive qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha. “Qeveria nuk ka dhe nuk mbledh dot para. Në 5 muaj janë mbledhur më pak para se ç’duhet të ishin, për shkak të krizës, të papunësisë dhe korrupsionit. Familjet shqiptare po marrin rritje pensionesh nga depozitat e tyre. Nuk ka rritje. Vetëm me faturën e dritave dhe të ujit, pensionistëve u janë marrë 30 mijë lekë, ndërsa qeveria u jep vetëm 2 mijë deri në 6100 lekë... Ua kemi thënë që në krye të herës, po e çon ekonominë në një tatëpjetë ku rrezikojmë të hyjmë në fazë që inercia e bën të pandalshme krizën dhe kolapsin e bën katastrofik", deklaroi kryetari i Partisë Socialiste. Pa transparencë dhe me një krizë ekonomike që është e prekshme, pavarësisht çdo statistike, selia rozë po orienton veten drejt një raundi të ballafaqimit politik, i cili tanimë kundërshtohet vetëm në formën e manifestimit të vet, por një nga arsyet qenësore prej nga ai niset.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›