Pëllumbi: Opozita nuk duhet të vetëpërjashtohet
Opozita nuk duhet të vetëpërjashtohet nga procesi ligjvënës në Parlamentin shqiptar. Vendimi i fundit i grupit të deputetëve të saj për rivendosjen e një marrëdhënieje të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, përveç kundërshtimeve nga brenda, po prodhon oponencë edhe nga “jashtë”. Politikani i njohur socialist, ish-nënkryetar i PS-së dhe i Parlamentit, Servet Pëllumbi, ka ripërsëritur dje thirrjen për forcimin e luftës opozitare në rrugë institucionale, duke shfrytëzuar burimet e mëdha njerëzore që disponohen prej saj, por edhe raportin e ngushtë numerik me koalicionin qeverisës. “Forca më e madhe e PS-së është në Parlament. Ka 64 deputetë dhe ajo duhet të bëjë një luftë parlamentare bashkëkohore, me të gjitha format, të gjitha mënyrat, nuk përjashtoj as dhe largimin nga votimi për raste të veçanta. Po gjithsesi mendoj se lufta në institucione, lufta në Parlament, duhet të konsiderohet fronti kryesor", tha Servet Pëllumbi menjëherë pas një takimi me një figurë tjetër të njohur të së majtës, shkrimtarin Dritëro Agolli. Apeli që po i drejtohet PS-së për një maturim të veprimit politik, sidomos për sa i përket rrugës së zgjedhur për ballafaqimin me shumicën e drejtuar nga Sali Berisha, përkufizon një presion moral në rritje, ndaj të cilit gjithsesi vështirë se mund të heshtet. Influenca e Pëllumbit në bazën tradicionale socialiste, në një kohë kur po mbahen edhe zgjedhjet e brendshme, përbën një sinjal që mund të nyjëtojë më mirë atë arsyetim politik që konteston rimarrjen e aksioneve politike të lëna tanimë pas. Në thelb duhet thënë se qëndrimet dhe thirrjet e politikanit të njohur socialist janë në koherencë me shqetësimin ndërkombëtar, i cili pranoi ta njihte krizën shqiptare vetëm në momentin e bojkotit parlamentar nga ana e PS-së. Për këtë arsye, edhe kritikat kryesore që Pëllumbi duket se adreson ndaj prirjes së ekipit drejtues socialist, përqendrohen në shpërfilljen e armës parlamentare në luftën politike me shumicën e Sali Berishës. Nga ana tjetër, nënvizimi i tij për “një luftë në institucione” mund të shihet edhe si vlerësim i ri për mundësitë e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo, pasi lidhur me këtë kërkesë, të përqendruar në hapjen e kutive, PS ka zgjedhur presionin vetëm ndaj qeverisë, pa konsumuar rrugët e tjera ligjore apo kushtetuese. Mangësia në këtë drejtim u bë ndoshta një pengesë serioze në përkrahjen e hapur të komunitet ndërkombëtar për kauzën opozitare, e cila fitoi peshë tjetër në rezultatin negativ të negociatave. Duke u shfaqur si etapë e re për klasën politike, edhe periudha pas negociatave po nxit idenë e një rishikimi në qëndrime që si zëdhënës më të spikatur ka gjetur Servet Pëllumbin, krahas shumë zërave në grupin parlamentar socialist. Ky i fundit ka në përbërjen e vet shumë deputetë të rinj, të cilët në 1 vit me mandatin e përfaqësuesit të popullit, pjesën më të madhe e kanë kaluar jashtë institucionit ligjvënës.
#