E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS vendos të hënën për qëndrimin ndaj Kuvendit

TIRANE- Kryetari i PS-së, Edi Rama pritet të mbledhë të hënën rreth mesditës grupin e deputetëve socialistë. Vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar që nis në orën 18:00, grupi i PS-së do të vendosë zyrtarisht qëndrimin ndaj maxhorancës në Kuvend.

Paraprakisht është thënë se ndërpritet bojkoti dhe nis puna e socialistëve si një alternativë ndryshe, në legjislativ dhe për më tepër si një opozitë e fortë e qeverisë. Që prej ditës së hënë fillon të shfaqet publikisht edhe kursi i ri i PS-së, i lajmëruar në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie nga kryetari Edi Rama.

Gjatë diskutimeve pritet të vendoset edhe qëndrimi i PS-së në lidhje me disa nga ligjet e rëndësishme që i përkasin paketës së reformave të mëdha integruese, të cilat kanë mbetur pa u miratuar pikërisht nga mungesa e votave të tyre prej muajsh në Kuvend.

Ndërkaq një ditë më parë, Konferenca e Kryetarëve, ku ishte i pranishëm edhe kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi, ka miratuar projekt-kalendarin trejavor të punimeve parlamentare, në të cilin përfshihen edhe ligjet me shumicë të cilësuar që janë kode dhe ligji për gjykatën administrative.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›