E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i ferrit, aty ku çdo ndeshje është një finale

Italia dhe Franca janë finalistet e Botërorit të vitit 2006 dhe janë pretendente për të fituar Evropianin

Shorti

Që në hedhjen e shortit, të gjithë në sallë kanë reaguar në ovacione, kur në Grupin C janë vënë me radhë emrat e kombëtareve të Italisë, Francës, Holandës dhe Rumanisë

Rumania dhe Holanda shihen si jofavorite, por kanë lojtarë të aftë për të dhuruar surpriza të këndshme

Një nga traditat më të veçanta të Kampionatit Evropian të futbollit është prania e "grupit të ferrit", i cili garanton përplasjen mes skuadrave të mëdha, që në fazën e parë të turneut. Kjo "traditë" nuk mund të mungonte as në EURO 2008, ku Grupi C ka vënë përballë katër skuadra shumë të forta, mes të cilave tre kombëtare kanë fituar edhe më parë një Kampionat Evropian. Italia (Kampione e Botës), Franca (finaliste e Botërorit të fundit), Holanda (fituese e EURO ‘88), si dhe Rumania (surpriza e fazës kualifikuese), do të përballen në këtë grup të frikshëm, ku secila prej skuadrave cilësohet një kandidate serioze për të fituar turneun që organizohet në Austri dhe Zvicër.

Italia

Kampionët e Botës në fuqi dhuruan disa paraqitje me luhatje gjatë kualifikueseve, por forma që po kalojnë golashënuesi Luka Toni dhe portieri Xhanluixhi Bufon, i bën që ata të jenë mes kandidatëve kryesorë për trofeun. Italianët vuajtën gjatë të gjitha kualifikueseve, të filluara me një barazim 1-1 në shtëpi kundër Lituanisë dhe një humbje 3-1 ndaj Francës. Rezultatet u përmirësuan në ndeshjet që vijuan, por loja nuk bindi deri në fundin e kualifikueseve. Problemi kryesor i italianëve është padyshim mesfusha, ku treshja Gatuzo-Pirlo-Ambrozini, garanton ndihmë në prapavijë, por është më pak efikas për sa i përket manovrës sulmuese. Donadoni është detyruar të improvizojë, duke krijuar një sulm me tre futbollistë, ku si qendër është Luka Toni. Duke ditur se futbolli italian ka shumë sulmues cilësorë, duket e çuditshme që emrat e tjerë të këtij reparti janë Antonio Di Natale dhe Fabio Kualiarela. Të dy futbollistët e Udinezes rezultuan decizivë gjatë kualifikueseve me golat e tyre, duke u kthyer në titullarë të padiskutueshëm dhe duke lënë në hije emra të tjerë më të njohur si Inzagi, Del Piero, Xhilardino dhe Kasano. Donadoni ka preferuar që të grumbullojë 24 lojtarë, mes të cilëve 6 sulmues, ku, përveç treshes titullare, Toni-Di Natale-Kualjarela, janë edhe tre sulmues të tjerë, Del Piero, Kasano dhe Borrielo. Tashmë trajneri do të ketë për detyrë të ndërtojë një grup të fortë, ashtu siç bëri Marçelo Lipi dy vite më parë, kur udhëhoqi këtë skuadër drejt fitores së Botërorit. Hija e pasardhësit të tij është shqetësimi më i madh i Donadonit, i cili është i detyruar të çojë skuadrën deri në finale për të mos rrezikuar pushimin nga puna.

Franca

Finalistëve të botërorit do t‘u duhet të gjejnë një ekuilibër mes yjeve të vjetër dhe futbollistëve të rinj, nëse shpresojnë që të fitojnë Evropianin 10 vjet pas suksesit në Botërorin që organizuan vetë. Ditët e "brezit të artë" që fitoi atë trofe në vitin 1998 dhe më pas EURO 2000 duket se janë drejt fundit, me shumicën e protagonistëve të asaj periudhë që i kanë dhënë lamtumirën futbollit të luajtur. Për herë të parë, pas një dekade, Franca do të paraqitet në fazën finale të një turneu madhor pa yllin e saj më të shndritshëm, Zinedin Zidan dhe pa portierin Fabien Bartez, të dy të larguar pas finales së Botërorit, ku u mundën nga Italia falë 11-metërshave. Megjithatë, Franca vazhdon të mbetet një kombëtare ambicioze. Rajmond Domenek ka gjetur një lider të ri për mesfushën, Frenk Riberi, i cili ka konfirmuar në sezonin e tij të parë me Bajernin e Mynihut se është një lojtar i niveleve të larta. Të gjithë duan të shohin në veprim edhe listën e gjatë të yjeve të rinj, duke filluar nga sulmuesi Karim Benzema, i cili ka fituar një vend si titullar. Megjithatë, Domenek ka preferuar të mbajë disa nga futbollistët e vjetër si Viera, Turam dhe Makelele, të cilët do të ndihmojnë me eksperiencën e tyre.

Holanda

Kalimi i fazës së grupeve do të jetë si fitorja e EURO 2008 për Holandën, skuadrën që drejtohet nga lojtari që i dha trofeun kësaj kombëtareje 20 vjet më parë, Marko Van Basten. Përveç Italisë dhe Francës, në grup me ta është edhe Rumania, skuadra që barazoi 0-0 në Roterdam dhe më pas e mundi 1-0 në Konstanca gjatë kualifikueseve. Duke parë kundërshtarët dhe kualifikueset pa shkëlqim, askush nuk do të çuditej nëse "tulipanët" nuk do të kalonin turin, ndonëse janë paraqitur historikisht në një formë të mirë në këtë turne, ku paraqiten për herë të 6 radhazi në fazën finale. Megjithatë, Van Basten do të kërkojë të marrë maksimumin nga reparti i tij i avancuar, ku Rud Van Nistelroi dhe Klas Jan Huntelard janë në balotazh për vendin e qendërsulmuesit. Nuk mungojnë alternativat për mbështetësit nga krahët, pasi Van Basten ka në dispozicion 7 lojtarë për tri pozicionet e avancuara të mesfushës, ndonëse Klarens Sedorf u tërhoq nga aktiviteti. Shnajder dhe Van Der Vart kanë qenë titullarë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjeve, por Kuijt, Babel, Roben, Van Persi dhe Engelar janë të gjithë futbollistë po aq cilësorë. Vështirësitë më të mëdha janë në repartin e mbrojtjes, e cila do të ketë detyrën e vështirë të përballet me lojtarë si Toni, Henri dhe Mutu. Heitinga është i vetmi titullar i paprekshëm, ndërsa Buma dhe Ojer luftojnë për një vend në këtë repart.

Rumania

Aftësia e trajnerit Viktor Piturka për të motivuar lojtarët do të jetë më se e nevojshme në EURO 2008, kur skuadra do të përballet me tre nga superfuqitë kontinentale që në fazën e grupeve. "Shorti ishte i pamëshirshëm me ne, por kjo nuk më shqetëson", ishin fjalët e trajnerit nga kampi stërvitor i kombëtares. "Kjo mund të jetë shkëndija që na jep shtysën", tha ai. Trajneri ka treguar edhe më parë se mund ta çojë skuadrën në nivele të larta, pasi e kualifikoi atë edhe në EURO 2000, ndonëse nuk mori pjesë në fazën finale, pasi u shkarkua pas rebelimit të disa futbollistëve. Kualifikueset e EURO 2008 kanë treguar edhe një herë forcën e ekipit ballkanik që humbi vetëm një ndeshje, 1-0 ndaj Bullgarisë, por vetëm pasi kishte siguruar kualifikimin. Megjithatë, trajneri vazhdon të shpresojë që të gjithë ta cilësojnë Rumaninë si jofavorite. "Është një avantazh nëse kundërshtarët na cilësojnë më të dobët se sa jemi realisht dhe sidomos më të dobët se ata vetë. Meqë bastexhinjtë nuk na japin asnjë shans për fitore, ne nuk kemi çfarë të humbim, por kemi shumë gjëra për të fituar".

Austriakët

Fanella kundër kombëtares

Tifozët e kombëtares austriake nuk besojnë se ekipi i tyre mund të arrijë ndonjë gjë në EURO 2008, ndaj është bërë e modës që të shfaqen në rrugët e qyteteve me fanellën ku shkruhet "EURO 2008, i organizuar nga humbës". Prodhuesja e kësaj fanelle, Stefani Shefman, ka bërë të qartë se kjo është një mënyrë për të festuar aktivitetin. Ajo ka treguar se fanella është shitur jo vetëm në Austri, por edhe në Zvicër e Gjermani, ku është bërë shumë e modës.

Raul e Trezege kryesojnë listën

e yjeve që mungojnë në Euro 2008

Në çdo aktivitet madhor të futbollit është shndërruar në zakon që një pjesë e konsiderueshme e vëmendjes t‘u kushtohet lojtarëve, të cilët nuk janë përfshirë në përfaqësueset e tyre. Në evenimentin që do të startojë muajin e ardhshëm në Austri dhe Zvicër, do të mungojnë disa yje, ku emrat më të mëdhenj janë padyshim Raul Gonzalez dhe David Trezege. Edhe pse është golashënuesi më i mirë i Spanjës, me 44 rrjeta në 102 ndeshje të luajtura, Raul nuk ka fituar asnjëherë në titull ndërkombëtar. Ndërsa për sulmuesin tjetër, Trezege, mund të kujtohet "golden goli" i realizuar në Euro 2000, që i dhuroi Francës titullin më të rëndësishëm në kontinent. "Ishte një zgjidhje taktike", tha tekniku i "Gjelave", Rajmond Domenek, kur publikoi të përzgjedhurit e tij, duke lënë jashtë skuadrës lojtarin e Juventusit. Nëse merret në konsideratë futbolli i klubeve, si Raul ashtu edhe Trezege do ta kishin vendin të siguruar në kombëtaret e tyre. Raul shënoi 18 gola dhe ishte një nga protagonistët e titullit të dytë radhazi të Realit të Madridit në Primera Division. Me 20 gola të shënuar, Trezege e mbylli sezonin i dyti në klasifikimin për golashënues të Serisë A (pas shokut të skuadrës Alesandro Del Piero), ndërkohë që Juventusi arriti objektivin sezonal: rikthimin në Ligën e Kampioneve. "Kur zgjedh lojtarët nuk shoh nëse klubet e tyre janë në vend të parë, të dytë apo të tretë", tha drejtuesi i stolit spanjoll, Luis Aragones. "Ka edhe lojtarë të tjerë, që pavarësisht se kanë shënuar shumë gola nuk do të shkojnë në Evropian". Ndeshja e fundit e Raul me përfaqësuesen iberike është ajo që Spanja humbi 3-2 me Irlandën e Veriut, në shtator 2006. Trezege, që numëron 34 gola me Francën, është zëvendësuar nga lojtarë më të lëvizshëm, si Xhibril Sise dhe Bafetimbi Gomis. Përpara dy vjetëve, ai kishte humbur penalltinë e parë në finalen e Botërorit Gjermani 2006, të fituar nga Italia e Marçelo Lipit.

Emra të tjerë të mëdhenj që do t‘i mungojnë Euro 2008 janë sulmuesi "axurr", Filipo Inzagi, mesfushori i Republikës Çeke, Pavel Nedved, mesfushori i Portugalisë, Manike, sulmuesi i Turqisë, Hakan Shukur, dhe mesfushori i Holandës, Klarens Sedorf. 34-vjeçari Inzagi shënoi 11 gola në kampionat me Milanin, ndërkohë që në 57 ndeshje me Italinë ka realizuar 25 herë. Por, shifrat nuk kanë qenë të mjaftueshme për teknikun Donadoni: "Mosha e tij nuk ka ndikuar në zgjedhjen time, ishte çështje teknike". Nedved, padyshim një prej yjeve të Çekisë, me të cilën arriti në finalen e Evropianit 1996, ishte ftuar në skuadër nga trajneri Karel Brukner, por mesfushori refuzoi. 35-vjeçari kishte deklaruar tërheqjen nga impenjimet me kombëtaren menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës 2006. Sedorf, autor i 11 golave në 87 ndeshje me Holandën, doli vetë nga gara për një vend në kontingjentin e "tulipanëve". Vendimi i mesfushorit të Milanit erdhi pasi beson se trajnerin Marko Van Basten nuk i ka dhënë hapësirën e nevojshme për të treguar potencialin e tij. 30-vjeçari Manike ka qenë një prej pikave të forta të Portugalisë në Euro 2004 dhe Botërorit 2006 (ku skuadra arriti gjysmëfinalet), por që prej transferimit tek Interi, ai ka qëndruar më së shumti në stol. I fundit, por jo më pak i rëndësishmi, është Hakan Shukur: sulmuesi është goleadori më i mirë i Turqisë, me 51 gola, por tekniku Fatih Terim vendosi ta lërë jashtë skuadrës 37-vjeçarin. Vendimi erdhi pavarësisht faktit se Shukur ishte një prej lojtarëve që ndihmuan përfaqësuesen turke të kualifikohej në këtë eveniment. Ky ishte veçse një tjetër shembull, që loja e mirë dhe ndihma për skuadrën nuk të garanton pjesëmarrjen.

Rumania

Oferta e pronarit të Steauas, për titullin kampion

Federata refuzon shpërblimin

5.5 milionë euro të Bekalit

Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka refuzuar ofertën e pronarit të Steauas së Bukureshtit, Xhixhi Bekali, për t‘i dhënë kombëtares 5.5 milionë euro shpërblim, nëse ajo do të jetë e suksesshme në Euro 2008. "Nuk na nevojitet asnjë premio nga Bekali, i cili bën mirë t‘i investojë ato para për të përmirësuar paraqitjet e Steauas apo të ndihmojë skuadrat e të rinjve të klubit", tha drejtori i përgjithshëm i FRF-së, Ionut Lupesku. Ai bëri të ditur për mediat se vendimi për të mos pranuar asnjë shpërblim është miratuar edhe nga trajneri i Rumanisë, Vitor Piturka. Gjatë javës që sapo kaloi, Bekali kishte deklaruar për televizionin lokal, "Sport.ro", se do të ofronte 500 mijë euro, nëse Rumania do të kalonte fazën e grupeve. Kësaj shume ai do t‘i shtonte 2 milionë euro, nëse skuadra arrinte në finale dhe 5.5 milionë euro nëse ata do të shpalleshin kampionë të Evropës. Bekali po hetohet nga Departamenti Antikorrupsion i Rumanisë (DNA). Ai akuzohet se u ka ofruar pagesa disa lojtarëve dhe zyrtarëve të Universitatea Kluj, që t‘i merrnin barazim ose fitore CFR Kluj, e cila ishte rivalja më e fortë e Steauas në garën për titull gjatë sezonit që sapo u mbyll. Megjithatë, CFR Kluj mposhti Universitatean 1-0 dhe u shpall kampione me 1 pikë më shumë se Steaua. "Do t‘ia jap paratë kombëtares për t‘u treguar hetuesve (të DNA-së) se e paguaj një skuadër në mënyrë që të japë maksimumin për të fituar, ky nuk quhet ryshfet", deklaroi Bekali.

Deklarata

Van Basten: Italia është favorite

Trajneri i Holandës, Marko Van Basten, beson se Italia është mes skuadrave favorite për të fituar Euro 2008, që do të zhvillohet nga 7 deri më 29 qershor. "Tulipanët" ndodhen në atë që cilësohet si "Grupi i Vdekjes", përkrah Italisë, Francës e Rumanisë dhe ish-sulmuesi legjendar se "axurrët" i kanë të gjitha shanset që të triumfojnë në këtë aktivitet. Van Basten beson se përveç Italisë, edhe Franca është një kandidate shumë e fortë, e cila ka lojtarë që mund t‘i dhurojnë trofeun prestigjioz. "Mendoj se të dyja këto skuadra, si Italia ashtu edhe Franca, janë shumë më të forta nga sa ishin në fazën finale të Botërorit 2006", tha drejtuesi i stolit të Holandës. "Skuadrat e tyre bazohen rreth lojtarëve me eksperiencë, por edhe te talentet e reja dhe kjo përbën shumë avantazh. Franca më ka mahnitur, pasi ata kanë një skuadër që vrapon më shumë, ndërkohë që Italia nuk është si në të kaluarën, kur praktikonin vetëm lojën mbrojtëse. Tashmë, ‘axurrët‘ luajnë futboll më ofensiv dhe më të hapur, duke preferuar sulmet dhe jo tërheqjen në mbrojtje". Në takimin e parë të Grupit C, Holanda luan në 9 qershor pikërisht kundër Italisë, në Bernë. Më pas "tulipanët" do të kenë në rrugën e tyre Rumaninë, ndërsa në ndeshjen e fundit në grup, më 17 qershor në Zyrih, ata luajnë me Francën.

Grupi A

Çeki

Portugali

Zvicër

Turqi

Ndeshjet

7 qershor

Zvicër-Çeki 18:00

Portugali-Turqi 20:45

11 qershor

Çeki-Portugali 18:00

Zvicër-Turqi 20:45

15 qershor

Zvicër-Portugali 20:45

Turqi-Çeki 20:45

Grupi B

Austri

Kroaci

Gjermani

Poloni

Ndeshjet

8 qershor

Austri-Kroaci 18:00

Gjermani-Poloni 20:45

12 qershor

Kroaci-Gjermani 18:00

Austri-Poloni 20:45

16 qershor

Poloni-Kroaci 20:45

Austri-Gjermani 20:45

Grupi C

Francë

Itali

Holandë

Rumani

Ndeshjet

9 qershor

Rumani-Francë 18:00

Holandë-Itali 20:45

13 qershor

Itali-Rumani 18:00

Holandë-Francë 20:45

17 qershor

Holandë-Rumani 20:45

Francë-Itali 20:45

Grupi D

Greqi

Rusi

Spanjë

Suedi

Ndeshjet

10 qershor

Spanjë-Rusi 18:00

Greqi-Suedi 20:45

14 qershor

Suedi-Spanjë 18:00

Greqi-Rusi 20:45

18 qershor

Greqi-Spanjë 20:45

Rusi-Suedi 20:45

Çerekfinalet

19 qershor

1. Vendi 1 A-Vendi 2 B 20:45

20 qershor

2. Vendi 1 B-Vendi 2 A 20:45

21 qershor

3. Vendi 1 C-Vendi 2 D 20:45

22 qershor

4. Vendi 1 D-Vendi 2 C 20:45

Gjysmëfinalet

25 qershor

A. Fituesi 1-Fituesi 2 20:45

26 qershor

B. Fituesi 3-Fituesi 4 20:45

Finalja

29 qershor

Fituesi A-Fituesi B 20:45



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›