E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhilji ëndërron Champions: Në finale mundim Interin

Koboli Xhilji ëndërron një Juventus fitimtare në Evropë. "Finalja e Ligës së Kampioneve kundër Interit, e fituar me rezultat të pastër", është dëshira e presidentit të bardhezinjve, që e ka zbuluar atë në një intervistë të dhënë për "Juventus Channel". Sipas tij, trofeu evropian kishte një rëndësi më të madhe, pasi "mes trofeve të shumtë të Juventusit mendoj se mungojnë disa Liga Kampionesh", tregoi ai. Kjo është edhe ëndrra e çdo tifozi bardhezi, që shpreson te projekti i nisur nga klubi, për të lënë pas të kaluarën e errët, vitin në Serinë B dhe sidomos dy vite jashtë Ligës së Kampioneve, turneut ku Juventusi ka qenë "i abonuar". Xhilji ka bërë edhe bilancin e sezonit që sapo është mbyllur, duke e cilësuar atë të suksesshëm nga pikëpamje të ndryshme. "Këtë vit kemi tejkaluar çdo objektiv tonin. Kemi arritur të marrim mjaft kënaqësi, për kualifikimin në Ligën e Kampioneve dhe për fitoret në disa ndeshje prestigji gjatë kampionatit. Mendoj më shumë për ndeshjet kundër Interit dhe Milanit. Cila ishte më e mira? Përmbysja entuziazmuese kundër kuqezinjve", vijoi ai. Megjithatë, ai duket i përqendruar tek e ardhmja e Juventusit, e cila fillon me pjesëmarrjen në eliminatoret e Ligës së Kampioneve. "Në kualifikuese do të jetë e vështirë, pasi në atë kohë do të fillojmë fazën përgatitore. Disa futbollistë do të luajnë në Evropian dhe do të detyrohen të përballen me skuadra më pak të forta se ne, por ndoshta më në formë. Do t‘i ndjek ndeshjet e para me tension dhe entuziazëm. Por ndeshja e parë e vërtetë e Ligës së Kampioneve do të jetë ndryshe. Në këtë pikë do të kemi kaluar "provimin e maturisë" dhe do të jemi të gatshëm të përballemi me ekipet e mëdha të futbollit evropian. Niveli do të jetë më i mirë dhe do të përjetojmë emocione". Për sa i përket objektivave, Xhilji bën të qartë se ëndërron maksimumin. "Si tifoz, dëshiroj që t‘i shkojmë deri në fund këtij turneu. Do ta preferoja më shumë se titullin në Itali", përfundoi ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›