Menaxheri i Hleb: Do të largohet në verë
Arsenali duket se ka pranuar që Aleksander Hleb të largohet gjatë merkatos së janarit, të paktën sipas asaj që ka bërë të ditur menaxheri i futbollistit bjellorus. Mesfushori ka qenë nën vëmendjen e shumë skuadrave të njohura dhe menaxheri i tij, Nikolai Shpilevski, deklaroi dje se ka filluar bisedimet me një ekip tjetër. "Mund të konfirmoj zyrtarisht se pak kohë më parë, Aleksander vendosi të largohet nga Arsenali për të shkuar në një skuadër tjetër. Natyrisht, "topçinjtë" dhe trajneri Venger dëshironin që ai të qëndronte, por ata e kanë pranuar zgjedhjen e futbollistit. Ne nuk do të përdorim nenin 17 të FIFA-s për t‘u larguar, pasi nuk duam të dëmtojmë Arsenalin. Nuk mund t‘ju them ende asgjë konkrete rreth skuadrës ku Hleb do të luajë në të ardhmen. Bisedimet vazhdojnë dhe unë nuk kam të drejtë t‘i bëj ato publike. Mendoj se kjo çështje do të qartësohet gjatë ditëve të ardhshme", u shpreh Shpilevski. Hleb kërkohet me ngulm nga Interi, që është gati të shpenzojë rreth 20 milionë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit bjellorus.