Tifozi i Brazilit feston me kallashnikov, arrestohet
Përfundimi i ndeshjes dhe dalja fituese e skuadrës së tij të zemrës ka bërë që një 45-vjeçar nga një fshat i Rrethit të Beratit të qëllojë me armë në ajër duke terrorizuar bashkëfshatarët e tij. Burime të policisë lokale bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka përfunduar në pranga të policisë 45-vjeçari Bashkim Kasemi, banues në fshatin Osmënzez të Komunës Sinjë në këtë rreth. 45-vjeçari mësohet se gjatë mbrëmjes së të hënës ka qëlluar shumë herë me armë zjarri në ajër, duke terrorizuar banorët e fshatit. Banorët të alarmuar, pasi kanë dëgjuar krismat e armëve, kanë njoftuar menjëherë policinë. Ekspertët e mbërritur në vendin e ngjarjes kanë mësuar se Kasemi në gjendje të dehur, pas fitores së skuadrës së tij të zemrës, Brazilit, kishte qëlluar disa herë me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit që ekspertët e policisë bënë në banesën e tij, gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale një kallashnikov dhe një pushkë gjuetie. Menjëherë pas zbulimit të armëve uniformat blu ndaluan 45-vjeçarin, i cili do të përballet me veprën penale “të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe armëve të gjuetisë”.
#