"Grupi i zjarrit", dëshmitari fundosi të akuzuarit për vrasje
SARANDE - Tre të arrestuarit e operacionit "Zjarri i Fikur" dolën dje para togave të zeza të Gjykatës së Sarandës, ku u vendos lënia e tyre në burg. Shahin Ismaili, Edvin Kamberaj dhe Metush Bushi, banorë të fshatit Gjashtë u arrestuan tre ditë më parë nga drejtoria e policisë së Vlorës. Blutë e kësaj drejtorie i sollën ata nën masa të rrepta sigurie në gjykatë. Të akuzuarit u paraqitën para trupit gjykues nga ku u morën në pyetje një e nga një. Të tre të dyshuarit për vrasjen dhe grabitjen e Jorgo Zisit në fshatin Dërmish të rrethit Sarandë më korrik 1996 nuk e pranuan akuzën. Por trupi gjykues, në sajë të provave të deritanishme vendosi t'i lerë ata në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve, duke u transferuar më pas në paraburgimin e Sarandës. Burime pranë grupit hetimor dhe oficerëve të krimeve të rënda të Vlorës e Sarandës bënë të ditur se për vendosjen në pranga të të dyshuarve janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit. Ndërkohë mësohet se pas arrestimit të tyre, në Drejtorinë e Policisë në Vlorë është paraqitur edhe një dëshmitar okular, të cilit i është bërë paraqitje për njohje. Në këtë mënyrë ai ka bërë edhe identifikimin e njërit prej tyre. Policia dhe prokuroria po vazhdojnë ende punën për dokumentimin e plotë të veprës penale, "vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim", në ngarkim të tre të arrestuarve si dhe të një shtetasi tjetër, i akuzuar si bashkëpunëtor, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ngjarja për të cilën akuzohen katër shtetasit ka ndodhur në 2 korrik 1996, ku në sy të vajzës dhe gruas, Jorgo Zisi, biznesmen në fshatin Dërmish është vrarë me thikë dhe më pas i janë grabitur 8 milionë dhrahmi (32 milionë lekë të vjetra në atë kohë). Pas një pune intensive të prokurorisë dhe agjentëve të krimeve të rënda në Sarandë e Vlorë, është bërë e mundur dhe zbardhja e krimit dhe vendosja para përgjegjësisë penale të katër shtetasve, bashkëpunëtorë në këtë krim.