E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjurma e gishtit në motor gjen autorin e masakrës në Durrës

 Ferdinand DervishiNjë gjurmë e vetme gishti në pjesën e pasme të sedijes së një motoçiklete "Yamaha", e përdorur natën e së mërkurës, 27 janar 2010, për vrasjen e trefishtë në Durrës, ka mjaftuar për të vënë në pranga të dyshuarin kryesor për masakrën. Quhet Arjan (Edison) çelaj është beqar, 35 vjeç, dhe për habi të shumëkujt banor i qytetit të Vlorës, i  dyshuari kryesor për vrasjen e Luan Currit, nipit të tij gjimnazist, Ani Curri, dhe inxhinierit Edmond Shemsi. Në këtë pikë rezultati, ka shkuar është përplasur e ndalur i gjithë dufi i krerëve të policisë së Durrësit, që thuhet se kanë punuar pa vënë gjumë në sy që në momentet menjëherë pas ekzekutimeve të egra, që shokuan gjithë shqiptarët. Një gjurmë e artëGjurma e gishtit, e vlefshme për krahasim, që arrestoi Arjan çelajn në Vlorë ishte gjetur në pjesën e pasme të sedijes së motoçikletës së përdorur për të realizuar krimin. Ndërsa vetë mjeti ishte gjetur menjëherë pas ngjarjes të së mërkurës, i braktisur në afërsi të qendrës së Durrësit, rreth 800 metër më tej. Se vrasësit ishin larguar me një motor, kjo kishte qenë informata e parë që dëshmitarët okularë i kishin dhënë policisë. Fatmirësisht të gjitha të dhënat e tyre korrespondonin me motorin e braktisur, filluar që nga madhësia, marka, ngjyra e të tjera detaje. Shpejt punonjësit e policisë shkencore kishin nisur përpunimin e gjurmëve dhe fatmirësisht, edhe pse gjatë gjithë asaj nate kishte rënë shi, kishin administruar katër të tilla të vlefshme. Tre ishin gjetur në xham dhe një në pjesën e pasme të sediljes, aty ku vihen zakonisht duart për t'u mbajtur. Të futura në kompjuterin e Laboratorit Qendror Kriminalistik, shpejt gjurmët kishin dhënë rezultat. Ishte pikërisht gjurma e vetme e gjetur në sedilje, që sipas kompjuterit i përkiste të skeduarit Arjan çelaj, me banim në qytetin e Vlorës. Për fat të mirë gjurmët e tij të gishtave ishin futur në sistem disa vite më parë, kur ai ishte deportuar nga Italia për në Durrës si i padëshiruar. Por vetëm përputhja e vijave papilare të njërit prej gishtave të tij me ato të gjetura në motorin e dyshuar nuk mjaftonte. Që ky të arrestohej, duhet që dëshmitarët të bënin lidhjen me vrasjen të motorit të gjetur rreth 800 metër larg vendngjarjes.Arrestimi      Ndërkohë që Policia e Vlorës kishte nisur të mbante nën survejim Arjan çelajn, ajo e Durrësit kishte nisur të punonte sërish me dëshmitarët okularë të ngjarjes. Ata ishin thirrur sërish duke bërë njohjen zyrtare të motorit të braktisur. Pra kishin dhënë zyrtarisht në dëshmitë e tyre, duke pohuar se ai ishte i njëjti motor me anë të të cilit ishte kryer vrasja e më tej, duke dhënë detaje të përkimit të ngjyrës, madhësisë, markës, zhurmës e të tjera. Vetëm pas administrimit të këtyre dëshmive, Policia e Vlorës ka bërë ndërhyrjen për prangosjen e Arjan çelajt. Madje kjo ndërhyrje është bërë në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, ndërsa përgjatë gjithë natës i dyshuari kryesor për vrasjen, është marrë në pyetje. Por edhe pse çelaj ishte shfaqur tepër i qetë dhe nuk kishte pranuar asgjë, rrethanat ishin rënduar gjatë ballafaqimit me dëshmitarët okularë, të cilët e kishin njohur duke i drejtuar gishtin e duke thënë se ishte pikërisht ai njeriu që qëlloi mbi tre viktimat. Menjëherë pas seancës së ballafaqimit, Arjan çelajt, në prani edhe të një avokati, i është komunikuar arresti. Të pyetur për motivin e krimit, drejtues të policisë së Durrësit mohuan të kishin një version të qartë, ndërkohë që nuk përjashtuan mundësinë e vrasjes me pagesë.Durrës, edhe vrasja e kambistit u zbulua nga motoriPaksa e habitshme, por edhe vrasja më pak se një vit më parë, në maj 2009, e një kambisti në Durrës, është zbuluar pasi policia gjeti motorin me të cilin ishte kryer krimi. Kambisti Agush Hyzoti u qëllua më 9 maj 2009 në derën e shtëpisë nga tre të panjohur, të cilët më pas i rrëmbyen rreth 27 mijë euro. Pas ngjarjes policia gjeti, jo shumë larg, një motoçikletë të braktisur, që sipas dëshmitarëve ngjante me atë të përdorur nga vrasësit. Shpejt policisë i bie në sy një pjesë e re e motorit dhe duke menduar se ajo sapo ishte zëvendësuar, kontrollon të gjitha dyqanet në Durrës që merreshin me motorat e atij formati. Dikur, dikush e njeh motorin dhe këtu kapet filli që çoi në gjetjen e prangosjen e tre autorëve të vrasjes së kambistit, vëllezërve Kevin dhe Marvin Ranxha, nga qyteti i Elbasanit si dhe Luis Vangjelit nga qyteti i Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›