Nisin punimet për kampusin "turk"
U inaugurua dje nisja e punimeve për ndërtimin e kampusit të universitetit turk, "Epoka". Të ftuar në ceremoninë e djeshme ishin rektori i universitetit, drejtori i përgjithshëm i institucioneve arsimore turke, si dhe Presidenti turk, Abdullah Gyl. "Falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në hapjen e kolegjeve turke në Shqipëri. Këto nuk janë shkolla të shtetit turk, por shkolla që populli dhe biznesmenët turq ia kanë dhuruar Shqipërisë", deklaroi Presidenti turk. Sipas tij, studentët do të jenë ura e përsosmërisë së bashkëpunimit të këtyre dy popujve. Nga ana tjetër, rektori i këtij universiteti, Hasan Kaplan, tha: "Një nga shkaqet kryesore që ndikoi në hapjen e këtij kampusi universitar është miqësia e palëkundur ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, e cila mbështetet në historinë e përbashkët 500-vjeçare të dy popujve tanë".