Zgjedhjet; Opozita, pjesë në përgatitjen e listave dhe kartat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informoi dje Komisionin e Posaçëm Parlamentar për monitorimin e procesit parapërgatitor. Seanca e djeshme nxori në pah problemet mes dy kampeve politike sesa problemet e infrastrukturës. Opozita kërkon informacione nga kompania “Sagem” për kartat si dhe ankohet për stafet e pakualifikuara. Mazhoranca është shprehur se kompania do të raportojë në komision si dhe ka ftuar opozitën të bëhet palë e përgatitjes së listave të zgjedhjeve.
Opozita ende nuk është dakord me shumë detaje të procesit parazgjedhor, ndërsa mazhoranca i ka kërkuar që të bëhet palë dhe të heqë dyshimet. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, dhe nënkryetarja e tij, Dëshira Subashi, raportuan dje në Komisionin e Posaçëm Parlamentar lidhur me ecurinë e përgatitjeve të procesit paraelektoral, përmes miratimit të një numri vendimesh nga institucioni qendror i zgjedhjeve. Ristani tha se nga momenti i konstituimit të KQZ-së më 5 shkurt, e deri më 28 mars, janë miratuar 38 vendime dhe 9 udhëzime, në funksion të problematikës së zgjedhjeve të ardhshme. Sipas tij, procesi po ecën mirë. Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, përfaqësuese e PS-së, shprehu shqetësim për administratën zgjedhore, pasi sipas saj, 50 për qind është marrë me urgjencë dhe nuk është e trajnuar për procesin zgjedhor. Njëkohësisht, ajo tha se lista e votuesve nuk është ende gati.
Por në këtë pikë ndërhynë deputetët të cilët e kthyen çështjen në çështje politike. “Nuk është as në formatin, e as me freskinë e duhur ky informacion. Dhe na është dhënë shpjegimi që ka pasur një problem komunikimi midis qeverisë dhe kompanisë aleate. Pra, ne sot jemi të pakënaqur nga mënyra se si ky informacion ka ardhur, si për sa i përket kohës, freskisë dhe formatit”, - deklaroi deputeti i PS-së, Kastriot Islami. Nga ana e saj, mazhoranca tha se do të ftohet kompania që prodhon kartat e identitetit që të raportojë në Komision. “Ne do t’i drejtohemi në formë institucionale dhe kompanisë që të kemi një informim të plotë ndaj kompanisë e cila merret me prodhimin e kartave të identitetit, ndaj dhe në ditët e ardhshme do të kemi informacion lidhur me këtë gjë”, - u shpreh deputeti i mazhorancës, Osman Metalla. Ai shtoi se “për sa i përket pajisjes me karta të reja të identitetit, jemi mjaft të kënaqur me ecurinë e këtij procesi”.
Ndërkohë, në një deklaratë për shtyp, Ministria e Brendshme tha se opozita është ftuar të ndjekë nga afër procesin. “Ministria e Brendshme është e gatshme të kryejë verifikime të përbashkëta me përfaqësues të opozitës për të gjithë ata qytetarë që opozita pretendon se nuk kanë pasaportë dhe nuk figurojnë në listat e publikuara të personave pa pasaportë për udhëtim jashtë shtetit”, - thuhet në njoftim. Ministria e Brendshme u bëri thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik deri në datën 20 mars në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë, të tërheqin letërnjoftimet e tyre. Sipas ministrisë, tërheqja në kohë e letërnjoftimeve nga qytetarët lehtëson mbarëvajtjen e procesit. “Me anë të kësaj deklarate Ministria e Brendshme dëshiron gjithashtu të shprehë qëndrimin e saj lidhur me pretendimin e paraqitur në mënyrë të përsëritur nga opozita për një numër qytetarësh që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, emrat e të cilëve nuk gjenden në listat e personave pa pasaportë të dërguara pranë njësive vendore. Nga verifikimet e kryera deri më tani nga Ministria e Brendshme rezulton se ky pretendim i opozitës nuk qëndron”, - thuhet në deklaratë.