Grupimi Dhjetor 91: Rama dhe Ruçi po përpiqen të fusin vendin në krizë
Kryetari i grupimit Dhjetor 90 Bislim Ahmetaj përshëndeti kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe koalicionin e tij për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Duke kritikuar Partinë Socialiste, Ahmetaj vlerësoi koalicionin qeverisës PD-LSI si në vendim të duhur, i cili do ta shpjerë vendin drejt integrimit Europian. Duke u ndalur tek situata pas ditës së votimit, ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të Partisë Socialiste, e cila sipas tij po përpiqet të përfitojë nga tejzgjatja e procesit të numërimit për të futur vendin në krizë.
Tejzgjatja e procesit të numërimit krijoi lodhje të numëruesve dhe precedentë për negativizimin e procesit, që po i shfrytëzon politika e re Ramës, e udhëhequr nga Gramoz Ruçi. Kjo politikë e re e gjendur pa shpresë, po përpiqet të shfrytëzojë këto handikapë për ta futur vendin në një spirale krize të pashpresë, nënvizoi Ahmetaj. Por sipas tij, këtë skenar destabiliteti e ka ndaluar përgjigja e shpejtë e Metës, të cilën ai e ka vlerësuar si një vendimmarrje që i shërben integrimit të plotë dhe të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryetari i Grupimit Dhjetor 90, Bislim Ahmetaj, i ka cilësuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit si zgjedhjet më të mira të zhvilluara deri më sot në Shqipëri, pas viteve '90. Vlerësimi i tij është ndaluar tek fushata e partive politike pa tensione, pa incidente dhe provokime në dëm të procesit deri tek pajisja e shtetasve me dokumentet e reja të identifikimit dhe listat e votuesve, më të mirat e mundshme. Duke vijuar më tej, Ahmetaj shtoi se shumica e shqiptarëve në këto zgjedhje rikonfirmuan një Shqipëri europiane dhe ata që mbetën në pakicë kanë shansin historik të ndërtojnë një opozitë konstruktive. Gjatë një prononcimi për mediat, i vendosur përballë memorialit kushtuar Pishtarit të Demokracisë, Azem Hajdarit, kryetari i Grupimit Dhjetor 90, përshëndeti me këtë rast kryeministrin Sali Berisha, njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për koalicionin qeverisës të krijuar me LSI. Mesazhe për koalicionin e ri integrues PD-LSI, i kanë ardhur kryeministrit Berisha edhe nga një numër shoqatash dhe forumesh qytetare brenda e jashtë vendit. Grupimi i dhjetorit 90, që drejtohet nga ish-studenti Bislim Ahmetaj, është një grupim që punon për mbajtur gjallë idealet e lëvizjes studentore antikomuniste të vitit 1990 që do të sillte dhe rënien e atij regjimi që sundoi në Shqipëri për rreth 5 dekada.