E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri vijon turin e inaugurimeve dhe falënderimeve

Nisin punimet për bypassin e Durrësit
Me përfundimin e fushatës elektorale, pas fjalimeve të shumta me karakter politik, kryeministri Berisha ka nisur një tur të ri inaugurimesh, të cilin po e shfrytëzon njëkohësisht edhe si tur falënderimi për shqiptarët, të cilët e votëbesuan për herë të dytë për realizimin e projektit Shqipëria evropiane. Në vazhdim të turit Shqipëria po ndryshon, kryeministri Berisha ka nisur turin e inaugurimeve pas- zgjedhore në Durrës, ku fillimisht mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fazës së parë të fillimit të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, investim i fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare, me vlerë rreth 13 milionë euro.Në fjalën e tij, kreu i qeverisë fillimisht falënderoi qytetarët shqiptarë për mundësinë e jashtëzakonshme që i dhanë të djathtës, që nëpërmjet këtij mandati të shndërrojë në realitet projektin më të madh që shqiptarët kanë njohur në të gjitha kohërat. Kryeministri u shpreh se Shqipëria po ndryshon dhe se ky do të mbetet lajtmotivi i qeverisë së ardhshme katër vjeçare, deri sa ky vend të gëzojë standardet. Shqipëria po ndryshon! Ky është dhe do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve evropiane. Ky është motivi ynë i fuqishëm që këto katër vite ti shndërrojmë në vitet e transformimit më të madh dhe me të shpejtë të këtij vendi dhe që në këto katër vite ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të re dhe më moderne në Ballkan dhe më gjerë, u shpreh kryeministri Berisha. Ndër të tjera, kreu i qeverisë vlerësoi ndërtimin e këtij bypass-i, i cili do të modernizojë transportin e kësaj zone, si dhe lehtëson trafikun e rënduar në bulevardin e zonës së plazhit, duke shtuar se Durrësi merr një vepër të re të madhe infrastrukturore. Kreu i qeverisë premtoi inaugurimin shumë shpejt të unazës së Durrësit, ku sipas tij kjo qeveri nuk mund të konceptojmë faktin se për shkak të dallimeve partiake në pushtet, të rri duarkryq para nevojave të qytetarëve. Absolutisht, jo! Përkundrazi, ne do të shumëfishojmë përpjekjet tona për të bërë sa më shpejt Durrësin me unazën që meriton dhe për të transformuar sa më shpejt infrastrukturën e asaj që dje ishte kënetë dhe sot është një nga qytetet e reja më të bukura të Shqipërisë, u shpreh Berisha.
Berisha inauguron sistemin e ri të kamerave në portin e Durrësit
Gjatë vizitës në Durrës, kryeministri Berisha mori pjesë edhe në inaugurimin e përfundimit të sistemit të kamerave në Portin e Durrësit. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë e ka konsideruar këtë investim prej 170 milionë lekësh, të shkëlqyer, i cili realizon një vëzhgim dixhital të plotë e total në çdo m2 të territorit të portit. Po ashtu, ky sistem rrit shumë sigurinë e portit dhe e bën atë ndër portet më mirë të vëzhguara për të gjithë faktorët e rrezikshëm, e bën ndër portet më mirë të kontrolluara. Në këtë drejtim, Berisha ka përsëritur premtimin për liberalizimin e vizave brenda mandatit të dytë qeverisës. Ky është gjithashtu një hap shumë i rëndësishëm për kontrollin e shkëlqyer të kufijve, është një kontribut thelbësor për ecjen drejt liberalizimit të vizave, që është një qëllim madhor i vitit të parë të mandatit tonë të dytë, u shpreh kryeministri. Ndër të tjera në fjalën e tij, Berisha theksoi se në portin e Durrësit janë duke u realizuar projekte të mëdha e tepër të rëndësishme për modernizim e tij, duke veçuar ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve. Duke u ndalur në këtë pikë, kryeministri Berisha ngriti zërin për punime me ritme më të shpejta, pasi sipas tij terminali i ri modern për pasagjerët është i domosdoshëm për ti shërbyer më mirë, në mënyrë më të qytetëruar të gjithë pasagjerëve dhe për ti dhënë portit të Durrësit pamjen e re që meriton. Sistemi i ri i kontrollit, një investim prej 170 milion lekë, vendos nën vëzhgim të plotë dixhital të gjithë territorin e portit. Kryeministri Berisha e konsideroi sistemin e ri të kontrollit një investim shumë të rëndësishëm që rrit sigurinë në portin e Durrësit dhe për kontrollin e kufijve.

Last Updated on Saturday, 11 July 2009 17:02

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›