Topalli prezanton sistemin e ri të votimit
• Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, prezantoi dje sistemin e ri elektronik të votimit, duke bërë publike në të njëjtën kohë fshehtësinë e votës.Në një takim për median, Topalli ka realizuar prezantimin e sistemit të ri elektoral, çka pretendon se i përafrohet parlamentit Evropian. "Kam kënaqësinë të njoftoj sot se në sallën e Parlamentit kemi arritur të realizojmë vendosjen e sistemit të ri elektronik, një objektiv që e kisha prej kohësh. Kjo procedurë ka kaluar në disa faza, në të cilat janë marrë parasysh kërkesat e grupeve të ndryshme parlamentare, si dhe diskutimi në byro. Një shqyrtim shumë të gjerë dhe të vështirë ka pasur në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit, ku janë bërë të gjitha specifikimet teknike, dhe pastaj në procedurën e tenderimit, një proces transparent, i cili ka kaluar përmes publikimit në gazetën prestigjioze, "Financial Time"", deklaroi Topalli. Kreu i Kuvendit theksoi se, "në panelet e votimit të çdo deputeti është instaluar një ekran me ngjyra LCD, i cili i tregon deputetëve, se çfarë votimi bëhet, cili është rezultati, sa kohë u ka mbetur për të folur, si dhe mesazhet e tjera që janë të shkruar në shqip". Gjithashtu për të rritur transparencën për median, do të ketë mbi 40 dalje për audio. Nga vendosja edhe e telekamerave që janë në të gjithë sallën, do të bëhet e mundur që menjëherë të regjistrohet në DVD, edhe puna e transkriptimit do të jetë më e saktë dhe më e shpejtë. "Edhe ju gazetarët do të keni mundësi të keni një pamje vizive më të mirë e të qartë, meqenëse nga momenti që, një deputet do të marrë fjalën, ai do të shfaqet në ekranin ballor, i ngritur në këmbë për të folur, ashtu siç ndodh në çdo Parlament Evropian", u shpreh Topalli. Ndërsa bëhet e ditur se sistemi i ri ka disa opsione, mes të cilëve është dhe ai i votimit me "shenjat e gishtërinjve", që do të thotë, se kur ka dyshim për prezencën apo mënyrën e votimit, mund ta përshtatet edhe kjo mënyrë votimi. Kjo gjë e bën votimin tërësisht të saktë, transparent dhe të padiskutueshëm. Pra, nëse do të kërkohej një procedurë e posaçme, atëherë do të realizohet një votim me marrjen gishtave të çdo deputeti në Kuvend.Procedura e votimitDrejtori i kabinetit të kryetares së Kuvendit, Malind Myftiu, ekspert i Teknologjisë së Informacionit, tha dje se "instalimi i sistemit të ri elektronik të votimit në Kuvend, bën të mundur edhe përmbushjen e një prej kërkesave të progres-raportit të Komisionit Evropian". "Në tenderin ndërkombëtar u shpall fituese kompania 'Eurel Informatica', mes disa kompanive prestigjioze si 'Bosch', 'Televic' e të tjerë, që kanë realizuar sistemet elektronike të votimit në shumicën e parlamenteve të Evropës e më gjerë. Konkretisht, kompania "Eurel" ka realizuar sistemin e votimit në Parlamentin Evropian në Bruksel, në Luksemburg, sistemin e votimit në Këshillin e Evropës dhe shumë parlamente të tjerë. Ky është rasti tipik i një investimi të suksesshëm, ku pas një procesi të studiuar mirë, kemi një sistem votimi nga më të avancuarit në Evropë dhe me një kosto relativisht të ulët, afro 298 mijë euro", u shpreh Myftiu.