Xhaferri: Nuk i kemi 71 votat, varemi nga aleatët
• Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferri thotë se për ndryshime në qeveri, partia më e madhe e koalicionit është e kushtëzuar edhe nga kërkesat e aleatëve.Sipas tij, fakti që PD nuk i ka 71 votat, bën që ajo të varet prej partive të tjera të koalicionit. Lidhur me ndryshimet në lidershipin e PD-së, Xhaferri thotë se ato i legjitimon vetëm Kuvendi, ndërkohë që shton se qëndrimi i Berishës në PD ka bërë që kjo forcë politike të mos ketë klane. Herë pas herë, zëra të caktuar hedhin për debat temën e ndryshimeve në qeveri. Cili është qëndrimi juaj, a duhet të ketë tani lëvizje në kabinetin qeveritar, apo pas Samitit të Bukureshtit ku të mësohet nëse Shqipëria do të marrë ftesën për në NATO apo jo?Shqipëria duket se i ka të gjitha shanset që të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Kjo klime politike e krijuar dhe ky vlerësim i përgjithshëm për Shqipërinë tregon qartazi se kemi një qeveri që përgjithësisht po qeveris mirë. Pavarësisht kësaj mendoj se kreu i qeverisë i ka lënë të hapura mundësitë që në të ardhmen të rivlerësojë punën e të gjithë anëtarëve të kabinetit dhe të bëjë ndryshimet e nevojshme nëse do të nevojiten. Lidhur me marrëdhëniet e PD-së me aleatët, nëse do të ketë një rishikim të këtyre marrëdhënieve, përfaqësimi i aleatëve në qeveri duhet të bëhet në bazë të mbështetjes aktuale në parlament apo mbështetjes në elektorat, duke marrë si referencë zgjedhjet e fundit? Fakti qe Partia Demokratike nuk i ka 71 deputetë për të qeverisur e vetme është një tregues që të bën të kuptosh se Partia Demokratike normalisht kushtëzohet nga kërkesat e aleatëve. Kjo do të thotë se ekuacioni i kompozimit të qeverisë është me shumë variabla ndërhyrës. Në këto variabla futen edhe numrat që ka në parlament çdo parti aleate, edhe prezenca e tyre në elektorat por çfarë është më e rëndësishmja edhe kualiteti i individëve që ftohen për të qeverisur. Në këtë marrëdhënie komplekse asgjë nuk mund të injorohet por duhet të dominojë fryma se vendi po qeveriset nga kapacitete që edhe dinë edhe duan të bëjnë diçka për vendin e tyre.Partia Demokratike ka paralajmëruar zhvillimin e zgjedhjeve në të gjitha degët e saj, këtë herë sipas parimit "një anëtar, një votë". A është ky një proces, që duhej të niste që pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit?Unë do të thosha se zgjedhjet e 18 shkurtit kanë kohë që janë certifikuar dhe rezultati i tyre nuk lë më asnjë pikëpyetje për t'u komentuar. Pra, Partia Demokratike dhe aleatët kanë marrë më shumë vota në nivel kombëtar se sa kundërshtarët politikë. Përveç kësaj, kemi fituar edhe të gjitha zgjedhjet e pjesshme parlamentare që janë bërë pothuajse në të gjithë gjeografinë e vendit. Aktualisht, në prag të kuvendit të radhës, Partia Demokratike ka nisur procedurat normale të ristrukturimit duke filluar që nga baza e partisë.Hapja e garës për kryetarë të degëve të PD-së, rrezikon që në garë të përplasen njerëz që i përkasin klaneve të ndryshme në Partinë Demokratike?Ata që e njohin historinë e Partisë Demokratike, pra të gjithë ata që kanë qenë brenda apo afër saj e dinë mirë se kjo parti asnjëherë, në të shkuarën dhe të tashmen e saj, nuk ka pasur klane. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse mënyra se si ka prodhuar dhe prodhon politikë kryetari i kësaj partie shkon krejtësisht në kundërshtim me politikat e drejtuesve që kultivojnë klane. Fakti që z. Berisha në vijimësi përpiqet që të jetë korrekt dhe i baraslarguar nga të gjithë bashkëpunëtorët është një mekanizëm i ushtrimit të politikës që shmang klanet. Për hir të së vërtetës, PD ka prodhuar në të shkuarën kundërshtarë të linjës zyrtare politike të partisë dhe këta kundërshtarë kanë pasur një platformë të tyre. Këto janë fenomene normale politike që s'kanë gjë të përbashkët me klanet. Aktualisht, nuk duket se ka personalitete politike brenda Partisë Demokratike që kundërshtojnë parimisht mënyrën se si po qeveris Partia Demokratike. Procesi i zgjedhjeve për kryetarët e degëve, duhet të pasohet nga një proces strukturimi edhe në sekretariatin e PD-së?Normalisht procesi i ristrukturimit që ka filluar me bazën e Partisë do të mbyllet me kuvendin e radhës të Partisë Demokratike. Kuptohet që kuvendet e partisë janë organizime që legalizojnë edhe ristrukturimin apo rikonfirmimin e sekretariatit të partisë. Kur kanë ngelur edhe rreth 18 muaj qeverisje, a e ka kjo parti të nevojshme ndarjen e posteve qeveritare me ato partiake, apo duhet të shkojë me këtë format në zgjedhjet e përgjithshme?Në Partinë Demokratike ka sekretarë që nuk mbajnë detyra qeveritare sikurse ka të tjerë që janë të angazhuar në detyrime qeveritare. Duket se do të jetë kuvendi i partisë që do të japë një përgjigje të institucionalizuar edhe për këtë çështje.NATOSipas deputetit të PD-së, Shqipëria është pranë marrjes së ftesës për në NATO, ç'ka tregon sipas tij, se qeverisja ka funksionuar. "Shqipëria duket se i ka të gjitha shanset që të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Kjo klimë politike e krijuar dhe ky vlerësim i përgjithshëm për Shqipërinë tregon qartazi se kemi një qeveri që përgjithësisht po qeveris mirë".Klanet në PDXhaferri mohon ekzistencën e klaneve në PD, duke thënë se drejtimi që i ka bërë Berisha, nuk e ka mundësuar një gjë të tillë. "Ata që e njohin historinë e Partisë Demokratike, pra të gjithë ata që kanë qenë brenda apo afër saj e dinë mirë se kjo parti asnjëherë, në të shkuarën dhe të tashmen e saj, nuk ka pasur klane".QeveriaLidhur me ndryshimet në qeveri, Xhaferri thekson se, PD varet nga kërkesat e aleatëve. "Fakti që Partia Demokratike nuk i ka 71 deputetë për të qeverisur e vetme është një tregues që të bën të kuptosh se Partia Demokratike normalisht kushtëzohet nga kërkesat e aleatëve. Kjo do të thotë se ekuacioni i kompozimit të qeverisë është me shumë variabla ndërhyrës".