E Diel, 1 Nëntor 2026

Grushta mes deputetëve në Kuvend, Maliqi godet Braçen, Kadeli i PS-së përleshet me gardistët



adi shkembi

Parlamenti e mbyll me përplasje fizike mes deputetëve vitin e parë të punimeve pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Lefter Maliqi dhe Erion Braçe, rivaliteti i të cilëve e ka zanafillën që në zgjedhjet e vitit 2005, kanë qenë protagonistët e një përleshjeje, e cila ka përfshirë shumicën e deputetëve në sallë, por edhe efektivat e Gardës.
Sherri
Në përfundim të fjalës së deputetit Agim Leka, kryetarja e Kuvendit nisi miratimin e 16 neneve të buxhetit. Por ky veprim i saj irritoi socialistët, të cilët reaguan menjëherë. Sajmir Tahiri dhe Ilir Beqja u ngritën të parët dhe shkuan para tavolinës ku rrinë ministrat, për të kërkuar që të diskutonin për buxhetin, ndërkohë që në pak sekonda përballë tyre u vendosën punonjësit e Gardës. Në të njëjtën kohë, nga mesi i sallës u ngrit Erjon Braçe, i cili fillimisht ishte me duart në xhep, ndërkohë që shumë shpejt u pajis me një shishe plastike uji, që u bë më pas edhe ‘molla e sherrit’ në Kuvend. Ai shfrytëzoi një moment pavëmendje të gardistëve, duke rrëmbyer shishen me ujë që ishte në vendin ku rri Kryeministri Berisha. I vetmi zyrtar i vëmendshëm në këtë rast duket se ka qenë një punonjëse e Kuvendit, e cila pasi pa që deputeti socialist rrëmbeu shishen, shkoi menjëherë për të marrë gotën prej qelqi. Në këtë moment, Topalli kërkoi 5 minuta pushim. “Ej, ti zbato rregulloren idiote!”, - ishin fjalët e deputetit të Beratit për drejtuesen e seancës. Në të njëjtën kohë, ai ngriti dorën e djathtë, ku mbante ujin dhe ia drejtoi kryeparlamentares. Por reagimi i gardistëve ishte i shpejtë dhe në pak sekonda ata arritën t’ia merrnin Braçes nga dora shishen me ujë. Ndërkohë, në tavolinën përpara ministrave kishin ardhur thuajse shumica e deputetëve socialistë.
Ndërhyrja e Maliqit
Në momentin që garda ishte vendosur përpara ministrave, nga dera anësore, pranë grupit të PD-së, hyri deputeti Lefter Maliqi, i cili sapo kishte konsumuar një kafe. Prania e Braçes në këtë sherr duket se e ka nxitur deputetin demokrat të shkojë menjëherë pranë tij. Teksa u afrua pranë foltores së Kuvendit, Maliqi, fillimisht tentoi t’i hiqte shishen e ujit, por kur pa që atë e kishte gardisti, e goditi me grushtin e djathtë në qafë deputetin socialist. Të parët që reaguan ishin Edi Paloka dhe Igli Cara, të cilët e tërhoqën nga cepi i sallës Maliqin, duke shmangur një goditje të tij ndaj deputetit Gjovalin Kadeli. Ky i fundit, në nxehje e sipër goditi një punonjës të gardës, ndoshta duke e ngatërruar si deputet, për shkak të veshjes së tij zyrtare. Në këtë moment disa efektivë të gardës ndërhynë, duke i thënë Kadelit se kishte qëlluar një prej tyre, ndërkohë që Arben Ahmetaj e Dashamir Peza e tërhoqën mbrapa kolegun e tyre. Konflikti mes Braçes dhe Maliqit ka vazhduar edhe në kafen e Kuvendit. Kjo, për shkak se ambienti brenda Parlamentit ishte i vetmi ku mund të “rrihej”, në një kohë që jashtë ishte duke rënë një rrebesh shiu. Fillimisht, Braçe ishte ulur me Dalipin, Ahmetajn e Finon, por pas pak shkoi edhe Maliqi me Flamur Nokën. Menjëherë, deputeti socialist ka filluar ta shajë, madje duke tentuar të marrë një karrige për ta qëlluar. Gjithçka është qetësuar, pasi Noka ka marrë jashtë Maliqin dhe deputetët e PS-së kanë ruajtur Braçen.

Deputetët ruajnë Braçen e Maliqin
Në fund të seancës deputetët e maxhorancës dhe opozitës kanë bërë kujdes që Braçe e Maliqi të mos përplasen në daljen nga Kuvendi, ku të dy janë shoqëruar nga një numër i madh deputetësh. Fillimisht, të gjithë deputetëve u është dashur të qëndrojnë për një kohë të gjatë, rreth 20 minuta, brenda dyerve të Kuvendit, për shkak se shiu vazhdonte të binte. Rreth orës 12:45 i pari që ka lënë Parlamentin ka qenë Maliqi, i cili ka qenë sërish i shoqëruar nga Flamur Noka, ndërsa më pas Braçe dhe disa nga deputetët socialistë.

Tension edhe në lozhën e gazetarëve
Sherri në Kuvend ka përfshirë edhe gazetarët, të cilët ndiqnin nga lozha punimet e seancës së fundit. Kur Topalli kërkoi pushimin e seancës, gardistët, pasi u kanë kërkuar operatorëve të ndërpresin filmimet, kanë vrapuar të nxjerrin jashtë gazetarët. Por kjo ishte e pamundur të bëhej brenda një kohe të shkurtër, për shkak se ambientet e lozhës janë përgjysmuar nga vendosja e një skele brenda saj. Kjo solli edhe rrëmujë në lozhë. Garda i sekuestroi telefonin një gazetari, i cili sipas saj, po filmonte në mënyrë të paligjshme në katin e dytë të Parlamentit, kur ishte ndaluar xhirimi i seancës.

Incidenti, Garda padit Kadelin
Garda e Republikës reagoi dje zyrtarisht pas incidentit të dhunshëm që ndodhi gjatë seancës së djeshme plenare, në Kuvendin e Shqipërisë. Lidhur me këtë ngjarje, Garda e Republikës tha se, deputeti i Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli, ka goditur një nga efektivat e shërbimit të sigurisë së Gardës së Republikës. “Goditja e efektivave të Gardës së Republikës gjatë ushtrimit të detyrës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë është një dukuri e përsëritur”, - deklaroi në një njoftim për shtyp, Valbona Ndreka, zëdhënëse e Gardës. Ajo u shpreh se Garda e Republikës do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore për këtë ngjarje. “Sipas Nenit 20, pika 1, të ligjit “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, “Punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij, dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal”, - theksoi Ndreka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›