Maxhoranca s’ka numrat, shtyhet SHISH
Aristir Lumezi
Projektligji për Shërbimin Informativ u shty për në muajin shtator. Seanca e djeshme e Parlamentit, e fundit e këtij sesioni, nuk e përfshiu në rendin e ditës ligjin e shumëdebatuar të SHISH, i cili kishte futur në krizë Parlamentin, pasi maxhoranca kishte premtuar se ai do të kalonte, ndërsa opozita ishte e përgatitur për ta rrëzuar atë. Seanca e djeshme nisi me rreth 2 orë vonesë për shkak se deri në minutat e fundit maxhoranca po mundohej të siguronte votat e LSI dhe të dy deputetëve të partisë çame PDU-së për ligjin e SHISH. Pas mbylljes së seancës parlamentare, kryetari socialist Edi Rama në një deklaratë për shtyp, tha se kryeministri nuk i ka votat për të miratuar ligjin e SHISH. “E gjithë kjo shfaqje provinciale e forcës dhunuese të pushtetit në sallën e Kuvendit, nxori edhe më në pah krizën e rëndë të një kryeministri që sot nuk i ka as numrat për të kaluar ndryshimet e ëndërruara në ligjin e SHISH-it, as njerëzit dhe mendtë për të përballuar krizën ekonomike. Sipas tij, vonesa në nisjen e seancës dhe fshehja e kalendarit të Kuvendit, tregojnë një situatë jo të qartë tek maxhoranca. “Fshehja e kalendarit të punimeve të Kuvendit, fshehja e axhendës së seancës së Kuvendit dhe së fundi fshehja e projektligjit të SHISH-it bashkë me mbylljen anormale të seancës së sotme, flasin për një gjendje të rëndë psikologjike, po edhe për interesa shumë të errëta të një pushteti të dëshpëruar që po bëhet përditë e më shumë një barrë në qafën e shqiptarëve. Dhe të një kryeministri të dëshpëruar që ka humbur kontrollin jo vetëm mbi Qeverinë, po edhe mbi vetveten”, u shpreh Rama. Bashkë me “SHISH” u shtynë për në sesionin e ri që nis në shtator edhe ligji për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe disa kode të Republikës së Shqipërisë që kërkojnë 84 vota. Vetëm një konsensus i gjerë maxhorancë-opozitë do të bëjë të mundur miratimin e tyre gjatë sesionit parlamentar të dimrit. Opozita në argumentet e saj kundër ligjit të SHISH, mbështet deklaratat e përfaqësuesve të lartë të NATO dhe Ambasadorit amerikan në Tiranë Xhon Uidhërs, sipas të cilëve ky ligj duhet të merrte konsulencën e aleancës euroatlantike. Opozita kishte thirrur të gjithë deputetët, edhe ata që ndodheshin jashtë shtetit për të qenë prezentë në seancën e sotme. Po ashtu dhe nga maxhoranca nuk mungonte asnjë deputet. Socialistët kishin kërkuar që të shtunën rendin e ditës së seancës së fundit, për të cilën më parë ishte paralajmëruar se do të sillej ligji i SHISH, por nuk kishin marrë përgjigje nga administrata e Kuvendit duke u përgatitur për ta votuar kundër këtë ligj.