E Diel, 1 Nëntor 2026

Vata i ofron Hykës një klub francez



Jetmir Halilaj

“Nëse Hyka do të jetë pjesë e skuadrës sonë deri në shtator, kjo do të ishte një vetëvrasje për ne”. Kjo ishte deklarata e menaxherit të Maincit, Kristian Heidel, disa ditë më parë. Një sinjal aspak shpresëdhënës sa i përket të ardhmes së mesfushorit shqiptar në radhët e skuadrës gjermane. Klubi ka deklaruar hapur se nuk dëshiron ta mbajë më 22–vjeçarin në ekip. Vetë futbollisti ka konfirmuar për mediat shqiptare se do të shikojë seriozisht mundësinë për të gjetur një skuadër tjetër, por ndërkohë ai ka refuzuar kalimin në formë huazimi te klubi i Augsburgut në Bundesligën 2 (aty ku luan Kapllani), pasi nuk dëshiron të shkojë si i huazuar në një ekip tjetër.
Oferta
Ish-kapiteni i Shqipërisë, Rudi Vata, i cili prej vitesh kryen rolin e menaxherit në Evropë, ka gati dy oferta për futbollistin. Vata ka pohuar për “Panorama Sport” se ka pasur kontakte me Hykën gjatë ditëve të fundit dhe i ka ofruar atij dy mundësi për t’u transferuar në kampionatin francez. “Hyka ka probleme te Mainci dhe kjo nuk është një gjë e re. Ndoshta jo vetëm për faj të tij, por edhe për shkak të politikave të klubit. Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që lojtari është shumë i ri dhe prej dy sezonesh nuk po arrin të luajë. Hyka e di mirë se një situatë e tillë e penalizon tej mase dhe nuk e çon askund, – është shprehur Vata për ‘Panorama Sport’. – Unë kam biseduar me të para disa ditësh dhe i propozova dy skuadra franceze. Njëra militon në Ligën 1, ndërsa tjetra në Kategorinë e Dytë franceze. Unë mendoj se aty do të ketë më shumë hapësira dhe më shumë mundësi për të luajtur. Kampionati francez është i një niveli të mirë dhe për Hykën mendoj se do të ishte një eksperiencë e vlefshme, por gjithsesi, ai e di vetë. Zgjedhjen e bën ai, sepse vetëm ai mund të vendosë për të ardhmen. Unë thjesht ia bëra të qarta propozimet e mia, tani le të bëjë si ta shohë të arsyeshme”.
Valdez
Vata aktualisht ka marrë përsipër që të menaxhojë sulmuesin e Kombëtares paraguaiane, Nelson Valdez. “është një futbollist shumë i talentuar, për të cilin interesohen klube të mëdha angleze si Evertoni dhe Aston Vila, por të shohim. Lajmi i mirë është se ai ka oferta vërtet të kënaqshme dhe nuk mendoj se do të jetë e vështirë për ta sistemuar në një klub prestigjioz”, ka deklaruar ish-kapiteni kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›