E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushta në FSHF, presidenti i Lacit godet Alban Tafajn

TIRANE- Kampionati i sivjetshëm ka dhënë që tani shenjat se do të jetë një betejë, jo vetëm futbollistike. Pas ngjarjeve në Korçë, në ndeshjen e Superkupës mes Skënderbeut dhe Tiranës, dje në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit është regjistruar një incident i rëndë dhe tërësisht i evitueshëm. Gjatë një bisede në dukje shumë miqësore, presidenti i klubit të Laçit Pashk Laska ka ngritur dorën dhe ka goditur keqazi në fytyrë shefin e klubit Tirana Alban Tafaj. Ata ishin të pranishëm si të gjithë zyrtarët e tjerë të klubeve për të ndjekur shortin e kampionatit, por situata ka degjeneruar totalisht edhe pse ndodheshin në ambientet e institucionit qendror të futbollit në vend (imagjinoni ç'mund të ndodhë në stadium?).

Gjithçka ka nisur me tone të qeta, teksa Pashk Laska i ka thënë Tafajt: "hajdeni bëjeni në Laç atë që bëtë në Korçë". "Pse çfarë duhet të bënim? Ishte diçka normale", u përgjigj shefi i klubit Tirana. "Mirë, por ik që këtu mos të të shoh", vazhdoi presidenti i Laçit. Një fjali që nuk duk aq serioze nga të gjithë presidentët e pranishëm aty, madje edhe nga vetë Alban Tafaj. Ndërkohë, Laska i ka thënë edhe njëherë "ik" me zë të lartë dhe më pas ia ka plasur në fytyrë, në sy të të gjithë mediave. Menjëherë ndërhynë presidentët e tjerë, që nuk lejuan acarimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa edhe vetë Tafaj ka ruajtur qetësinë. Gjithsesi, ky veprim mjaftoi për të krijuar një ide se çfarë pritet nga sezoni i ri, i cili këtë vit do të jetë me 14 skuadra. Gjithçka nisur e acaruar dhe me tone nervoze, ç'ka nuk duket edhe aq premtuese për lojën e futbollit.

Shorti
Pas javësh të tëra ngërçesh për shkak të procesit të shndërrimit të klubeve në shoqëri aksionere si edhe të regjistrimit të futbollistëve, Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur shortin për fillimin e kampionatit. Java e parë, që luhet më 10 shtator ofron menjëherë sfida interesante, teksa kampionët në fuqi të Skënderbeut do ta nisin mbrojtjen e titullit ndaj Tomorit, ndërsa në kryeqytet, Tirana do të presë Teutën. Në Vlorë Flamurtari do të ndeshen me Kamzën debutuese, ndërkohë që në Shkodër, Vllaznia pret Laçin. Tre ndeshjet e tjera janë Kastrioti-Pogradeci, Apolonia-Dinamo dhe Bylis-Shkumbini. Por, sezoni i ri i futbollit shqiptar nis me probleme të shumta. Ndryshe nga vitet e fundit, këtë herë do të jenë 14 skuadra dhe kampionati do të zhvillohet në dy faza. Një tjetër aspekt është ndryshimi i statusit juridik të klubeve. Tirana e Flamurtari ende nuk e kanë nisur këto proces dhe ato kanë pak javë kohë për ta përfunduar, ndryshe do të penalizohen me 10 pikë. Një tjetër çështje është formula e kampionatit, që mund të ndikojë direkt në fundin e tij, atëherë kur skuadrat pa objektiva, zakonisht hapin portën.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›