E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushdo është i lirë, porsi një... gjahtar

Tregojnë si një herë

Një mistrec fshatar

Doli për të blerë

Misër në Pazar.

Fap, shkrepi dëshira

Në kokë t’fshatarit

T’i gënjejë të gjithë

Që n’kry të pazarit:

“Më dëgjoni miq

Çuditë nuk kanë fund

Histori e rrallë

Ndodhi në katund...

...E kam parë me sy

Atje isha bujk

Delja e Rrem Hallvës

U përlesh me ujk...

“Hëngri delja ujkun

Ujku, sytë si mizë

Delja e kafshoi

Fort në kërthizë...!!”.

Fol e qesh fshatari

Dhe bjeri gomarit

Këmbët shpejt e çuan

Në fund të pazarit.

Atje në një qoshe

Mbledhur njerëzia

Me këmbë e me duar

Thuhej historia.

Afrohet fshatari

Më mirë të dëgjojë

Gënjeshtrën e vet

nisi ta besojë.

“O sa mirë ia bëri

e bëri fërtele

ah sikur të kisha

një të tillë dele...”.

Rrena u përhap

më shpejt së jehona

na erdhi ajo

gjer në ditët tona.

Dikush thotë ujku

E dikush ariu

Idenë e fshatarit

Përlau Saliu.

Ky Saliu ynë

I pari në shtet

Që në majë të malit

Çoi internet.

Kokën mbajmë lart

Rrisim tangërllëkun

Sala brohoret

Për “Sali bollëkun”.

Dëgjon Sala, Salën

Sytë mbushur me lot

Se djersa e derdhur

Nuk i shkoi kot.

I bie Salisë

Hije fudullëku

I thotë Qeverisë:

“Jam Sali bollëku...

...Vetë e dëgjova

Më gëzoi xhani

Këtë fjalë të mençur

E thotë vetë sovrani...

Nën drejtimin tim

Punët ecin mbarë

Kushdo është i lirë

Porsi një gjahtar.

Sot ecin të lirë

Në fusha në male

Mos e rrasni shumë

Këmbën në pedale.

Kjo është porosi

Për ta mbajtur mend

Zoti mos e dhashtë

T’bëni aksident.

Heu, sa mirë po jena,

Qesh bac’i Malësis

Bollëk i Saliut

Si n’koh t’Italisë!

Dhe at’koh si sot

Në k’to anët tona

Na solli taliani

Vaj e makarona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›