Arvizu: Zgjidhje kompromisi për krizën
Kompromisi dhe nevoja për zgjidhjen e krizës politike ishte sërish dje objekt i deklaratave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu. I pranishëm në çeljen e një ekspozitë me punime të nxënësve të ndryshëm, e titulluar “Diversiteti me sytë e fëmijëve”, kryediplomati amerikan u shpreh se “e di që keni dëgjuar shumë për politikanët, që sulmojnë njëri-tjetrin. Ndonjëherë dhe unë frustrohem kur dëgjoj këto gjëra”. Por, shtoi Arvizu, besoj dhe dua të besoj se si njëra palë, ashtu edhe tjetra, sipas mënyrës së tyre, po përpiqen ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë. “Flitet për sistemin gjyqësor dhe gjëra të tjera në Shqipëri. Po, ka njerëz të mirë, por ata duhet të vazhdojnë të punojnë fort. Flitet për shumëllojshmëri dhe besoj se duhet të ketë qasje të shumëllojshme. Duhet te ketë një grup njerëzish që thonë: Jo nuk dorëzohemi, do të luftojmë për çdo të drejtë. Por kjo nuk është mirë të bëhet nga të gjithë. Duhet të jetë dikush që të bëjë dhe kompromiset”, nënvizoi diplomati amerikan. Në vlerësimin e tij, duhet pranuar që sistemi nuk është perfekt, por gjithmonë duhen disa njerëz që të udhëheqin betejën dhe disa të tjerë të bëjnë kompromiset. “Për të marrë zgjidhje dhe përgjigje të problemeve, çelësi qëndron te bashkëpunimi mes tyre. Është kohë e vështirë, por besoj se e ardhmja do të jetë më e mirë”, shprehu bindjen Arvizu. Sakaq, duke qenë se Shkurti është muaji i historisë së afro-amerikanëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori Arvizu zgjodhi t’i përkujtonte këto ngjarje me nxënës të Institutit Arsimor “Wilson”. Ambasadori u ndal edhe te rëndësia e pranimit të diversiteteve në shoqëri, pa i paragjykuar ato. “Çdo shoqëri e hapur dhe demokratike ka për detyrë që t’i ofrojë të gjithë pa dallim ngjyre, race apo etnie së cilës i përket. Njerëzit duhet të trajtohen si të barabartë, pavarësisht diversiteteve. Por gjëja më e rëndësishme është respekti ndaj këtyre njerëzve. Shpeshherë nuk është e lehtë, pasi edhe sot ekzistojnë keqkuptime. Prandaj vendosa që të bëj këtë bisedë pikërisht me ju, pasi jeni më mendje hapur dhe përfaqësoni të ardhmen e shoqërisë”, u shpreh Arvizu. Në këtë kontekst, diplomati amerikan u ndal edhe tek evolimi i shoqërisë shqiptare në dy dekada. Aleksandër Arvizu insistoi se “kanë kaluar dy dekada, që shoqëria shqiptare po ecën me hapa të mëdhenj, shoqëria ka ndryshuar, por prapëseprapë duhet kohë për të ndryshuar sjelljen, bindjet dhe mentalitet e shoqërisë suaj”. Këto deklarata të ambasadorit Arvizu vijnë vetëm një ditë pasi Parlamenti Europian i bëri gjithashtu thirrje të prerë klasës politike në Shqipëri, për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për krizën politike në vend. Zyrtarët europianë insistuan se e vetmja rrugë që mund të ndjekë Shqipëria është kapërcimi i krizës dhe vazhdimi drejt procesit integrues, në të kundërtën u kërcënua me shkëputjen e financimeve në kuadër të projektit IPA. D.M.