Gryka: Shteti, kundër hapjes së dosjes Hajdari
Është plagosur në këmbë për arsye që nga ana e policisë janë “ende të panjohura”, por kjo nuk e ka penguar që ai vetë t’i japë qartë motivet e sulmit ndaj tij. I shtruar në spital, ish-truproja e Azem Hajdarit shprehet qartë: “Sulmi ndaj meje… pas kërkesës për të hapur dosjen “Hajdari””.
Marjan Gryka pretendon se nuk ka asnjë konflikt personal që do t’i bënte njerëzit që të organizonin një sulm ndaj tij. “Kam kërkuar hapjen e dosjes “Hajdari”, një kërkesë shumë normale, pasi një gjë e tillë është një faktor kryesor për hyrjen e Shqipërisë në BE. Por nuk e kam kërkuar hapjen e dosjes për të gjetur vrasësit, - thotë Gryka nga shtrati. – E kam kërkuar që të gjehen personat që e kanë organizuar vrasjen e tij”. Ai shprehet se shteti është kundër kërkesës së bërë, sepse nuk e dëshiron hapjen e dosjes “Hajdari”.
Ish-truproja i deputetit të vrarë Azem Hajdari vazhdon me akuzat, ndërsa shprehet se i ka dërguar letër edhe vetë prokurores së Përgjithshme.
Ndërkaq jep detaje lidhur me plagosjen. “Më ndaluan persona me uniforma policia. Kjo ishte edhe arsyeja pse frenova, pasi mendova se kisha përballë blutë e rendit. Por në momentin e ndalimit e kuptova që personat përballë nuk ishin policë”, vazhdon Gryka.
Ndërkaq, policia e Shkodrës vazhdon të heshtë. Çuditërisht, ndryshe nga herët e tjera, burimet zyrtare thonë vetëm se “nuk ka asnjë version për ngjarjen” dhe se “po punohet”.
Plagosja e Marjan Grykës ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00, ndërsa drejtuesi i shoqatës “Azem Hajdari” ishte duke udhëtuar me makinë nga Shkodra për në fshatin Zogaj.