E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, ish-minatorët, me ditë të numëruara

MIRDITË - Të dhimbshme dhe të trishtueshme, por fakte që flasin: qindra minatorë që kanë punuar në nëntokën e Mirditës në minierat më të vështira të Europës, sot marrin frymë nga mushkëritë nën masën 10 përqind, duke i patur ditët e jetës të numëruara.

Deri një javë më parë shënoheshin 387 vdekje të parakohshme nga radhët e ish-minatorëve të Mirditës, ndërsa rituali vazhdon ditë pas dite. E keqja më e madhe qëndron për pjesën që mbetet të jetojë dhe ca ditë a muaj më shumë, pasi nuk janë në gjendje të paguajnë as ilaçet për të zgjatur mbijetesën e mushkërive të bëra blozë, me një pension qesharak që marrin dhe jo më të jetojnë si njerëz.

Një pjesë e ish-minatorëve të Mirditës që ka mundur të zbresë nga fshatrat, ka protestuar në sheshin e qytetit të Rrëshenit për të kërkuar drejtësi nga Instituti i Sigurimeve për të mos u mbajtur më tej peng dosjet e tyre për “verifikime” dhe për të mos i sorollatur nëpër gjykata.

Qindra ish-minatorë Kurbneshit, Përlatit, Dërvenit, Spaçit, Kaçinarit etj, i janë përgjigjur thirrjes së kësaj sindikate për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre dhe për të shprehur mbështetjen e tyre në lidhje me grevën e urisë, e cila pritet të fillojë më 2 tetor. Tonin Legisi, kryetar i kësaj sindikate në Mirditë shprehu indinjatën e ish-minatorëve të vuajtur dhe të sëmurë deri në zgrip të jetës ndaj kësaj qeverie për nënvlerësimin që ka bërë dhe u bën minatorëve.

Statistikat e dhimbjes në Mirditë   1- Kanë vdekur nga sëmundja e silikozës së marrë në minierën e Kurbneshit 176 minatorë të moshës 38-40 vjeçare. 2- Janë aksidentuar gjatë punës në minierë, duke gjetur vdekjen 67 punëtorë- minatorë. 3- Mësuesi i Selitës, Bib Nikolli, në ceremonine e daljes së tij në pension disa vite më parë, deklaroi i pezmatuar se 17 nga ish-nxënësit e tij, nga i njëjti fshat nuk jetonin. Tashmë ky numër është shtuar dukshëm. 4- Sot vazhdojnë të luftojnë me sëmundjen vdekjeprurëse të silikozës mbi 600 burra vetëm në zonën e Mirditës, ndërkohë që deri një javë më parë numërohen 387 minatorë të vdekur para kohe.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›