E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-deputetja e 86-s që sot punon banakiere

Me Ferzie Lipon, pogradecaren që u bë deputete e Kuvendit në moshën 20-vjeçare. Në Parlament, ka ende ish-kolegë të saj…

Në qendër të qytetit tek Hotel Turizmi “Enkelana “ ka shumë klientë që në orët e para të mëngjesit. Kur i dëgjon të thonë “kafen e mëngjesit do ta pi tek deputetja, e bën pa hile, është mjeshtre e vërtetë..”, një i huaj në qytet do të habitej.

Por Ferzie Lipon në Pogradec e njohin të gjithë. Tek kafeteria e katit të dytë ajo është prej disa vitesh si banakiere. Është ish-deputete e Kuvendit Popullor të Shqipërisëpër dy legjislatura rrjesht nga viti 1978 deri në vitin 1986.

U zgjodh deputete në një moshë fare të re (ndoshta më e reja, vetëm 20 vjeç) dhe qëndroi e tillë për 8 vite.

Ferzia është nga fshati Leshnicë i Pogradecit rreth 10 km larg qytetit dhe në fshatin e saj e ka nisur punën shumë herët, që në moshën 15 vjeç si kooperativiste.

Realizonte gati dy norma çdo ditë dhe miqtë e kujtojnë si tip kurajoze që “ngrinte probleme kur punët nuk ecnin ashtu siç duhet”.

Ndoshta për shkak të këtyre cilësive në vitin 1978, Ferzia propozohet dhe më pas zgjidhet në votime si deputete në Kuvendin Popullor. Vajza e brishtë nga fshati mbahet mend edhe për disa “përplasje” në seancat e Kuvendit me dy ish kryeministrat e vendit Mehmet Shehun dhe Adil Çarçanin.

Bashkëmoshatarët e saj ia dinë historitë. Bëhet fjalë për një eksperiment me kooperativat e asaj kohe, në të cilin, kooperativa e Leshnicës ishte zgjedhur si projekt pilot nga shteti. Sipas këtij projekti këto kooperativa do t`i mbulonin vetë të gjitha shpenzimet pa asnjë ndihmë nga shteti, edhe kur ishte mot problematik, apo kur bujqësia të kishte probleme. Ferzia ngrihet me kurajo në parlament dhe e kundërshton projektin duke thënë se ky eksperiment i rrënonte kooperativistët (zgjedhësit e saj, në fakt).

“Më vjen për të qeshur, - tregon Ferzia, - kur shoh që në parlamentin e “demokracisë” sot ka deputetë që e hapin dhe e mbyllin mandatin pa folur asnjëherë, apo kur dëgjoj që miratohet çdo propozim i “shefave të tyre”. Paradoksale, por para 90-s gjeje më shumë shembuj debati se sot.”

Po ta pyesësh Ferzien për deputetët, në fakt e prek në pikën e saj të dobët. “Kanë shumë priviligje, të cilat kurrsesi nuk i meritojnë në këtë varfëri që ka Shqipëria, - thotë ajo. Nga frika se do humbin ato privilegje, rrinë lepe-peqe. Unë kur isha deputete nuk kisha frikë, pikërisht se nuk kisha çfarë të humbja. Kisha vetëm krahët e mia dhe kazmën që punoja tokën.”

Biseda për deputetët e atëhershëm dhe ata të tanishëm, zgjat. “A e di se çfarë priviligjesh kishim ne në atë kohë kur ishim deputetë? Udhëtonim pa lekë në autobus dhe kur shkonin me shërbim nuk paguanim hotelin. Kaq. Rrogën e merrja atje në koooperativë dhe merrja aq sa merrte një brigadier kooperative…”.

Dy shqetësime ka Ferzia. E para, siç na thotë është arsimimi i fëmijëve që është në gjendje, sipas saj, mjerane. E dyta, e shqetsojnë “ca xhaketa të vjetra që ende kanë ngelur në parlament dhe politikë”.

“Unë dje isha deputete. Misioni im mbaroi, ndonëse isha një njeri i thjeshtë dhe nuk kisha asnjë kusur. Shumë të tjerë janë pa mision në politikën e sotme. Ish-komunistët dhe ish- sigurimsit duhet të largohen nga politika sepse e ndyjnë atë. Populli thotë shtëpia e re nuk mund të ndërtohet me trarë të vjetër se trarët e vjetër kanë tartabiqe”.

Para disa kohësh në lokal erdhi një ish-deputet i kohës së Ferzies, por që ndryshe nga ajo është deputet, ende sot.

“Sapo më pa, më tha i habitur: “Po t`i Ferzie, këtu paske përfunduar..?! Po ti, - i thashë unë me ironi- akoma atje je?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›