Vizat, Balla: BE, kritika qeverisë shqiptare
Qeveria shqiptare ka dështuar në dhënien e ndihmës për lehtësimin e procedurave për marrjen e vizave. Kjo është ajo çka tha deputeti socialist Taulant Balla në një deklaratë për shtyp. Ai përmendi fjalët e zv.presidentit të Komisionit Evropian, i cili tri ditë më parë tha se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberalizimin nuk do të merret as në vitin 2009.
Balla u shpreh Ministria e Jashtme kishte detyrimin institucional dhe moral që të pranonte kritikën se Shqipëria s’ka bërë ende hapa të dukshëm e të qëndrueshëm për përmbushjen e detyrimeve për liberalizimin e vizave. Ai përmendi disa nga elementet në të cilat vendi ynë monitorohet, si: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave.
“Katër muaj pas marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ky dokument vazhdon të jetë peng i sirtarëve të zyrës së mbyllur të ministrit Basha, - tha Balla, duke shtuar se ndërkohë duhet të ishte hartuar një plan kombëtar veprimi.