Grykët, kujdesi që duhet të tregoi në stinën e verës
Lëngjet e ftohta, kondicionerët, mikrobet e ndryshme që qarkullojnë në këtë periudhë janë këta disa nga shkaktarët e shfaqjes së problemeve me grykët gjatë stinës së verës. Mjekët tërheqin vëmendjen që me shfaqjen e shqetësimeve të para të drejtoheni te specialisti, sepse mostrajtimi në kohë mund të shfaqë ndërlikime serioze. Rënia e rezistencës së imunitetit, korrentet e ajrit, konsumimi i pijeve të ftohta, apo qëndrimi nën kondicioner apo ventilator, ndikojnë në acarimin e grykëve që në gjuhën mjekësore njihen me emrin faringite, por dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Faktorë për acarimin e faringiteve janë dhe mikrobet dhe viruset e ndryshme, që temperaturat e larta u krijojnë terren të përshtatshëm, për t’u shumuar dhe shndërruar në patogjen për organizmin. Natyrisht ulja e rezistencës së mukozave te personat e predispozuar bën që të shfaqen të tilla probleme. Sipas mjekëve, më të prekurit nga këto probleme janë ato grupmosha që kanë sistem imunitar të dobët, për këtë arsye fëmijët janë kontingjent më i rriskuar dhe më i prekur nga faringitet (fëmijët e moshave 2-6-10 vjeç). Ka raste që janë forma akute, por ka dhe raste riakutizimi të formave kronike, që kur krijohen kushte të përshtatshme rishfaqin simptomat.
Shenjat
Shenja kryesore është dhimbja e fytit, ndryshime të timbrit të zërit (ngjirje të zërit), këputje trupore. Fëmijët e vegjël mund të mos pranojnë ushqimin, për shkak të dhimbjes së fytit. Në disa raste, si në ato me natyrë virale apo mikrobiale mund të shfaqet temperatura që është zakonisht jo shumë e lartë (subfebrile 37.5-38 gradë). Parandalimi është kompleks. Ai përfshin kujdes në ruajtjen e një ambienti me lagështi dhe temperaturë të përshtatshme. Po ashtu duhet treguar vëmendje në mënyrën e veshjes, duhet kujdes në qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar. Por ashtu rekomandohet një ushqim i pasur me vitamina dhe kripëra minerale, që ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Natyrisht nevojiten kontrolle dhe ndjekje e vazhdueshme nga mjeku specialist otorino-laringolog, në mënyrë që problemet të diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, sidomos i personave që kanë kaluar më parë probleme të tilla.
Trajtimi
Trajtimi bëhet në varësi të shkaktarit. Kështu në rastet virale, lihet të bëhet cikli i vet nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut specialist. Në këto raste jepen ushqime dhe pije të ngrohta, rekomandohet vitaminoterapi për të rritur rezistencën e organizmit. Ndërsa në rastet kur shkaqet janë mikrobiale dhe shoqërohen me temperaturë, rekomandohen antipiretikët për uljen e temperaturës dhe antibiotikë pasi të jetë bërë më parë një kulturë fyti, për të përcaktuar llojin e mikrobit shkaktar. Po ashtu rekomandohen vitaminoterapi, kryesisht vitaminë C si dhe kalcium, që ndikojnë në rritjen e rezistencës së organizmit. Në mjekësinë popullore përdorimi i manit të zi është një mënyrë për trajtimin e faringiteve. Manat përmbajnë rreth 9 për qind sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj. Në ditët e ngrohta të verës ato përdoren për të shuar etjen. Pekmezi (shurupi i manave) përdoret në stomatitet dhe faringitet. Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes. Pekmezi përdoret gjithashtu në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë. Manat e papjekura përdoren për luftimin e krimbave parazitarë të aparatit tretës.
Këshilla
Kujdes në ruajtjen e lagështirës së ajrit në ambientin ku jetoni
Ajroseni shpesh ambientin ku qëndroni
Pini sa më shumë lëngje dhe konsumoni ushqime të pasura me
vitamina
Tregoni kujdes në mënyrën e veshjes
Shmangni korrentet e ajrit
Qëndroni larg kondicionerëve apo ventilatorëve
Konsultohuni me mjekun specialist për çdo shqetësim
Faringu
Shtrihet nga koka e deri te pjesa e mesme e qafës
Organ gypor, me gjatësi 13-15 cm
Kufijtë
Baza e kafkës - lart
Ezofagu - poshtë
Zgavra e hundës, zgavra e gojës dhe hyrja në laring - përpara
Gjashtë unazat e para të qafës - prapa
Enët e gjakut dhe nervi vagus - anash
Pjesët e faringut
Tri kate
Nazo-faringu - pjesa hundore e faringut
Oro-faringu - pjesa gojore e faringut
Laringo-faringu - pjesa laringale e faringut
Vetëm laringo-faringu është pjesë e qafës, dy të tjerat janë pjesë të kokës
Funksioni i faringut
Tonsilla e tretë
Unaza Ëaldeyer
Kryqëzimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe të tretjes
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca
Rrezet ultravjollcë dhe mbrojtja nga to
Jo të gjithë kremrat për diell ofrojnë mbrojtje të njëjtë kundër rrezeve ultravjollcë të diellit. Ekzistojnë rrezet ultravjollcë UVA, UVB dhe UVC. Rrezet UVC nuk mund ta kalojnë shtresën e ozonit dhe nuk mund të arrijnë te ne, për këtë arsye janë të panevojshëm kremrat për mbrojtje nga këto rreze. Rrezet UVB mund të shkaktojnë djegien nga dielli dhe mund të nxisin zhvillimin e kancerit të lëkurës. Shkencëtarët besojnë se rrezet UVA janë të padëmshme për lëkurën tonë, mirëpo ekziston një hipotezë se ato mund të depërtojnë shumë më thellë se rrezet UVB, dhe mund t’u ndihmojnë atyre për të shkaktuar kancer. Për ta mbrojtur lëkurën nga rrezet UVA zgjidhni llojet e kremrave që në etiketë shkruajnë “me spektër të gjerë”. Ndërsa për t’u mbrojtur nga rrezet UVB zgjidhni kremrat me faktor më të lartë se 15. Gjithashtu, për të pasur mbrojtje më të sigurt nga rrezet e diellit duhet që: të qëndroni nën hije nga ora 11 e paradites deri në orën 15 të pasdites, të përdorni kremra me faktor të lartë (mbi 15) dhe mos u digjni në diell, në periudhën e rrezikshme të ditës (nga ora 11 deri në orën 15) mbulojeni lëkurën me diçka, mbani syze dhe kapelë.
16 Qershor 2008