E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Brenda vitit koncesioni për HEC-in e Skavicës



"Brenda këtij viti Ministria e Ekonomisë do të japë me koncesion HEC-in e Skavicës", - ka deklaruar së fundi ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Përgatitjet për këtë koncesion janë drejt hapave të fundit, pasi dhe interesimi nga kompani të mëdha të huaja janë në rritje. Për ministrin Ruli, Shqipëria po kthehet në vëmendjen e kompanive të mëdha energjetike europiane, pasi përbën një treg të ri, me resurse të pashfrytëzuara ende.
Në një periudhë afatmesme, parashikohet të nisin ndërtimet e disa objekteve të reja energjetike. Ndër to është HEC-i i Skavicës, disa HEC-eve në kaskadën mbi lumin Vjosë, disa TEC-e me burime alternative të energjisë, etj. Ndërkohë, këtë vit, u miratua që kompania austriake "EVN"-ë do të ndërtojë me koncesion të tipit BOT kaskadën e HEC-eve mbi lumin Devoll, ku do të investohen rreth 900 milionë euro. Në këtë potencial hidrik, përfshihen të gjitha degët ujore, si dhe HEC-i ekzistues i Banjës, që është pjesë përbërëse e pellgut ujëmbledhës të Devollit. Ndërtimi i HEC-it të Ashtës, tenderi për të cilin u bë dje, së bashku me HEC-in e Skavicës, mbyllin kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të madh të Skavicës, lart në zonën e Dibrës, mbi lumin Drin, kap një vlerë investimi rreth 600 milionë euro. Rëndësia e këtij HEC-i lidhet përveçse me prodhimin e energjisë, edhe me faktin se ndikimin në rregullimin e prurjeve për periudha disavjeçare të lumit Drin, pasi parashikohet ndërtimi i një liqeni mjaft të madh, që do të përmirësojë edhe liqenet e tjera të HEC-eve në kaskadën e lumit Drin. Më ndërtimin e HEC-eve të Ashtës dhe Skavicës, mbyllet plotësimi i kapaciteteve shfrytëzuese të lumit Drin, për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe rritet 20 për qind më shumë eficenca e kaskadës.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›