E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave minimale përballë rritjes së çmimeve



Gjatë dekadës së fundit në vendin tonë niveli i rritjes së pagës mesatare ka ardhur duke u ulur. Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë gjithë periudhës 1995-2006, vërehet një prirje në rritje e pagës mesatare mujore për një punonjës në sektorin shtetëror. “Gjatë periudhës 1994-1996, si rrjedhojë e qëndrueshmërisë së çmimeve të mallrave të ndryshme të konsumit dhe rritjes së pagave në sektorin shtetëror dy herë në vit, rritja e pagave ishte më e madhe se rritja e çmimeve. Kriza ekonomike që kaloi vendi ynë gjatë vitit 1997, solli si rrjedhojë uljen e ndjeshme të pagës reale, duke shënuar një rënie rreth 17 për qind në krahasim me atë të një viti më parë”, thuhet në analizën e të dhënave të INSTAT-it. Në vitin 1999, çmimet e konsumit pothuaj nuk ndryshuan fare dhe paga reale në fund të këtij viti shënoi rritje rreth 10 për qind. Një situatë e ngjashme, sipas ekspertëve të INSTAT-it, vihet re edhe për vitin 2000 ku paga reale pësoi një rritje prej 17.7 për qind. “Viti 2001 shënon një ngritje të pagës mesatare mujore me 15.1 për qind, ndërkohë që edhe çmimet e konsumit pësojnë rritje me rreth 3.1 për qind duke çuar në një rritje të pagës reale prej 11.6 për qind”, thuhet në raport. Nga vitit në vit, pas 2002-it, pagat reale janë ndikuar gjithnjë e më shumë nga rritja e çmimeve. Në vitin 2003 rritja e pagës mesatare mujore ishte 8.5 për qind, ndërsa çmimet e konsumit u rritën me 2.4 për qind duke sjellë rritje në pagën reale me 6 për qind. Në vitin 2004 rritja e pagës mesatare mujore ishte 9.9 për qind, ndërsa çmimet e konsumit u rritën me 2.4 për qind duke sjellë rritje në pagën reale me 7.3 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT-it, rritja e pagës mesatare mujore është 7.5 për qind, ndërsa çmimet e konsumit rriten me 2.4 për qind duke sjellë rritje në pagën reale me 4.9 për qind.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›